Gjykata shtyn ekzekutimin e vendimit për këmbim të pronave

Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi për të shtyrë ekzekutimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për këmbim të pronës komunale në “Prishtina e Re” me prona private në Badoc.

Sipas njoftimit nga IKD-ja, vendimi s’do të ekzekutohet deri kur Gjykata të vendosë për rastin.

“Gjykata gjeti se me propozimin për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit, IKD ka ofruar argumente të besueshme se në rastin konkret janë përmbushur në tërësi dhe në mënyrë kumulative të gjitha kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, ashtu që ekzekutimi i këtij vendimi do të sjellte dëm vështirë të riparueshëm. Tutje, Gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe as nuk i sjell dëm të madh palës kundërshtare apo personit të interesuar. Përkundrazi, Gjykata gjeti se pikërisht shtyrja e ekzekutimit të vendimit paraqet interes publik”, thuhet në njoftimin e IKD-së.

Ndryshe, me 20 janar 2024, IKD kishte reaguar ndaj vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës së kësaj Komune në “Prishtina e re”, me pronat në Zllatar, duke e cilësuar këtë vendim si të kundërligjshëm./21Media

Back to top button