Gjykata Speciale për RTV21: Nuk u refuzua lirimi me kusht i Thaçit

3 min read

Dje dhe sot ka qarkulluar një lajm në media se Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë ia kanë refuzuar lirimin me kusht ish-presidentit, Hashim Thaçi.

Se një gjë e tillë nuk qëndron, Angela Griep, Shefe e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun në Speciale e konfirmoi për portalin rtv21.tv.

Angela Griep në një përgjigje me shkrim për portalin rtv21.tv tha se vendimi më i fundit i gjykatësit të procedurës paraprake që urdhëron zgjatjen e paraburgimit për Thaçin është konfirmuar nga Gjykata e Apelit më 27 tetor 2021. Dhe sipas saj deri më tani ende nuk është marrë një vendim i ri nga gjykatësi i procedurës paraprake për rishikimin e mbajtjes në paraburgim të Thaçit.

“Ligji përcakton se deri kur aktgjykimi merr formë të prerë ose deri në lirim, gjykatësi i procedurës paraprake ose trupi gjykues, çdo dy muaj shqyrton nëse ekzistojnë ende arsyet për paraburgim dhe nxjerr aktvendimin për zgjatjen ose ndërprerjen e paraburgimit. Arsyet për zgjatjen e paraburgimit mund të jenë se gjykatësi(t) ka(në) arsye të artikulueshme për të besuar se ekziston rreziku i arratisjes, se i akuzuari do të shkatërrojë ose falsifikojë provat, se i akuzuari do ta përsërisë veprën penale ose do të kryejë vepra tjera penale”, sqaroi Shefja e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun të të Gjykatës Speciale.

Zyra për media e Speciales tha se aktualisht Mbrojtja dhe Prokuroria në çështjen Thaçi dhe të tjerët janë duke bërë parashtrime, respektivisht dosje, në të cilat i paraqesin argumentet e tyre lidhur me këtë çështje.

“Në rastin konkret, Mbrojtja ende ka mundësi të bëjë parashtrime para se gjykatësi i procedurës paraprake të marrë vendim për zgjatjen e paraburgimit të z.Thaçi. Bazuar në këto parashtrime dhe në informacione të tjera në dispozicion, gjykatësi i procedurës paraprake do të nxjerrë aktvendimin për zgjatjen ose përfundimin e paraburgimit. Palët mund të paraqesin ankesë kundër këtij aktvendimi në Panelin e Gjykatës së Apelit”, shtoi Griep.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është akuzuar më 5 nëntor të vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./21Media