Gjykimi i Mustafës vazhdon nesër me pyetjet e avokatit

Dëshmitari i parë kundër Salih Mustafës në Hagë ka thënë se nuk e mban mend ditën kur thotë se është marrë nga disa persona që i janë prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së, por ka deklaruar se është liruar me datë 18 që sipas tij ishte dita kur kishte nisur ofensiva në Zllashë.
Pjesa e tretë e seancës së sotme ku është mbajtur gjykimi në rastin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është zhvilluar me pyetjet nga ana e avokatit të Mustafës.
Dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes rreth ditës kur ai pretendon se është marrë nga disa persona, dhe për qëndrimin në Zllashë.
“E lidhi atë datë se me 18 ka ra ofensiva, për atë e di. Ka qenë në Zllashë ofensiva, në Zllashë më 18 dhe na kanë liruar, dhe na kanë liruar shkaku i ofensivës. Na liruan, na thanë ikni se ofensiva ra…Unë nuk e kam parë ofensivën, por na kanë thënë aty kur kemi dalë jashtë, ikni se ofensiva ra e nuk dimë na kah të shkojmë”, ka thënë dëshmitari.
Avokati i Mustafës, Julias Von Bone ka pyetur dëshmitari nëse e ka parë ofensivën dhe sa kohë i është dashur që të arrijë në vendin e tij të banimit.
“Mu kanë dashur krejt diku 5-6 orë krejt… Kam harruar, më duket në orën 11:00 ka qenë (kur na kanë liruar)”, ka thënë dëshmitari.
Ndërsa për momentin e ndalimit, dëshmitari ka thënë se personat i janë prezantuar si policë ushtarakë dhe ka theksuar se i kanë thënë që të shkojë me ta deri në Zllashë meqë kanë diçka të bisedojnë.
Dëshmitari ka thënë se e ka pasur kokën në thes që prej momentit kur e kanë futur në makinë.
Pjesën e tretë të seancës së sotme, i akuzuari Salih Mustafa e ka përcjellë përmes video-lidhjes, diçka i është lejuar nga trupi gjykues.
Vetë Mustafa në fillim të seancës sot kishte kërkuar fjalën ku kishte deklaruar se kohët e fundit po përballet me stres, por me të filluar të numërojë faktorët për këtë gjendje të tij, seanca ka vijuar e mbyllur.
Trupi gjykues ka njoftuar sot se Mustafa do të ketë të drejtën t’i përcjellë seancat përmes video-lidhjes, por në raste të caktuara ai do të mund të ftohet nga trupi gjykues që të jetë prezent në sallë.
Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja. Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Back to top button