Gjykimi ndaj Salih Mustafa vazhdon edhe sot në Hagë

Në Hagë do të vazhdojë edhe sot gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i njohur me nofkën Cali.
Të hënën Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar pyetjet për dëshmitarin e tretë kundër Mustafës dhe sot dëshmitari do t’u përgjigjet pyetjeve të mbrojtjes së viktimave dhe avokatit të Salih Mustafës.
Të hënën dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka thënë se në kohën kur i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është marrë nga disa persona dhe është dërguar në një objekt në fshatin Zllash, që sipas tij, aty është keqtrajtuar nga një person që ai e quan komandant Cali.
Ai gjatë dëshmisë së tij, duke iu mbrojtur identiteti ka deklaruar se fillimisht nuk e ka ditur kush është personi e pastaj ka dëgjuar të tjerët duke iu drejtuar ”Komandant Cali”. Por, i njëjti në një dëshmi të dhënë prokurorit të ZPS-së më 2019 kishte thënë se personi ishte prezantuar vet si komandant Cali.
Gjatë dëshmisë së tij ai ka thënë edhe se në Zllash është mbajtur 18 ditë.
Ai derisa i është përgjigjur prokurores Silvia D’Ascoli ka thënë se si pasojë e maltretimit që pretendon se i është bërë në Zllash, sot ka lëndime në krah, kokë dhe shikimin në syrin e majtë e ka të humbur.
Dëshmitarët e ZPS-së kanë filluar të dëshmojnë në këtë rast nga data 20 shtator, ku deri tani janë dëgjuar dy prej tyre.
Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave.
Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e që Salih Mustafa është edhe i arrestuari i parë nga Specialja.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Back to top button