Gjyqi kundër Julian Assange, miratohet ekstradimi i tij në SHBA

Një gjykatë e Mbretërisë së Bashkuar sot hapi rrugën që Julian Assange të ekstradohet për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky miratim u bë duke u shfuqizuar vendimi i një gjykate të një niveli më të ulët që thoshte se shëndeti mental i themeluesit të “WikiLeaks” ishte shumë i ndjeshëm për të përballuar sistemin penal amerikan.
Gjykata e Lartë në Londër vendosi që garancia e SHBA-së ishte e mjaftueshme lidhur me atë se Assange do të trajtohet në mënyrë humane, si dhe urdhëroi gjykatën e nivelit më të ulët që të dërgojë kërkesën për ekstradim te ministri i Punëve të Brendshme për rishikim.
Sekretari i Shtetit, Priti Patel, që mbikëqyrë sundimin e ligjit në Mbretërinë e Bashkuar do të marrë vendimin final nëse Assange do të ekstradohet.
“Nuk ka arsye pse kjo gjykatë nuk duhet të pranojë garancinë. Nuk ka bazë të besohet se SHBA nuk e ka dhënë këtë garancion me besim të plotë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.
E fejuara e Assangeit, Stella Moris, e quajti vendimin “një dështim të rëndë të drejtësisë” dhe tha se avokatët e Assangeit do të kërkojnë ta apelojnë këtë vendim te Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar.
“Ne do të luftojmë”, tha Moris jashtë gjykatës ku mbështetësit ishin grumbulluar duke kërkuar lirimin e Assangeit.
Assange, 50 vjeç, momentalisht po mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Londër. Gjykata e Lartë ka vendosur që ai të qëndrojë në mbajtje deri të arrihet vendimi i plotfuqishëm për ekstradim.
Autoritetet e SHBA-së u kanë thënë gjyqtarëve britanikë se nëse Assange ekstradohet për t’u ndjekur penalisht, ai do të ketë mundësi të vuajë dënimin me burg që ia shqipton SHBA-ja, në vendin e tij, në Australi.
SHBA-ja e akuzon Julian Assange me 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim të kompjuterit në lidhje me publikimet e mijëra dokumenteve diplomatike dhe ushtarake.
Këto akuza arrijnë në maksimum dënimin prej 175 vjetësh burgim edhe pse avokati i Assange tha se dënimi më i lartë i shqiptuar deri më të tani për këtë lloj akuze është 63 muaj.
Assange ka qenë në burg që nga arrestimi i tij në prill të vitit 2019 pasi i shkeli rregullat e lirimit me kusht në një betejë tjetër juridike./21Media

Back to top button