Gjyqtarët serbë tërhiqen nga Gjykata Themelore në Mitrovicë

Të gjithë gjyqtarët serbë përfunduan sot procesin e tërheqjes nga Gjykata Themelore në pjesën veriore të Mitrovicës, kështu u tha gazetarëve gjyqtari i Gjykatës së Apelit dhe anëtari i Këshillit Gjyqësor në Prishtinë, Nikola Kabasic, raporton “Tanjug”.
“Ky është fundi i realizimit të atij njoftimi nga Zveçani, sot gjyqtarët që nuk kanë ardhur dje për të dërguar dorëheqjen në Këshillin Gjyqësor të Kosovës e kanë bërë këtë nga emailet zyrtare. Dhe kaq, po largohemi nga gjykata”, tha Kabasic.
Deputetët e Listës Serbe i kanë dorëzuar të hënën mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës pasoi pas nisjes së shpërndarjes së fletëqortimeve për targat.
Autoritetet kosovare e suspenduan Nenad Gjuriqin, drejtor i Policisë së veri, për shkak se ka refuzuar të lëshojë fletëqortime për serbët e Kosovës që nuk i ndërruan targat.
Dorëzimin e detyrës e kanë bërë gjatë së dielës edhe disa policë serbë në veri të Kosovës. Dorëheqja, sipas tyre, u bë për shkaqe “personale dhe morale”./21Media

Back to top button