Goditet vetura e Policisë në Leposaviq, këta të fundit shtien me armë zjarri

(Lajm i përditësuar)
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë detyrës zyrtare (me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe parandalimit të krimit e kontrabandës) në një pikë kontrolli në Bistricë të Leoposaviqit ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila nuk është ndalur dhe gjatë lëvizjes e ka goditur një automjet i policisë.
“Njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë veturën në fjalë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e policisë.
Më tej, policia bën të ditur se personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
“Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme”, përfundon njoftimi.
14: 05- Petkoviq :Njësia e Policisë së Kosovës ka plagosur një qytetar serb
Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, ROSU, kanë shtënë me armë zjarri ndaj një makine në të cilën ndodheshin dy qytetarë serbë.
Nga të shtënat, tha Petkoviq, është plagosur njëri udhëtar derisa makina është goditur, siç tha, disa herë.
Sipas tij ngjarja ka ndodhur në ora 11.30 në afërsi të një pike kontrolli në urën e Bistricës në rrugën magjistrale Mitrovicë Leposaviq. Petkoviq tha se i plagosuri është transferuar në spitalin e Kralevës në Serbi.
Portali rtv21.tv ka provuar të kontaktojë me Policinë e Kosovës, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur ende./21Media

Back to top button