Osmani pritet në audiencë private nga Papa Françesku

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në audiencë private nga Papë Françesku në Selinë e Shenjtë. Kështu bëri të ditur Osmani përmes një postimi në “Facebook”.
“Papën e njoftova me vendosmërinë tonë për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, si vlera të popullit tonë, mbi të cilat janë kultivuar e ruajtur prej afro dymijë vjetësh edhe raportet tona me Selinë e Shenjtë. Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës. Ishte kënaqësi e veçantë po ashtu që të shkëmbeja me të pikëpamjet mbi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe progresin e vendit tonë drejt këtij synimi”, ka shkruar Osmani.
Ajo tutje ka thënë se thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë “orientim i yni i përbashkët”.
“Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore”, ka shtuar presidentja Osmani.
Në takim ishte edhe zotëriu i parë, Prindon Sadriu dhe zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla/21Media

Back to top button