​Gratë amvise që nisën bizneset me reçel nga shtëpia, rrëfejnë sfidat dhe vështirësitë

Nga magjia e kopshteve, ato arrijnë të jenë prezente me kavanozat shumëngjyrëshe në tryezat shqiptare. Amviset nga Kosova nisën bizneset nga hiçgjë, pa menduar se një ditë kërkesat do ishin përtej kapaciteteve. Reçele me fruta të ndryshme e produkte të tjera, kopshti i tyre siguron si produkte për familje dhe treg. Tash e disa vjet Safetja e Miroslavka punojnë pa pushim që të mbajnë familjet e tyre me të ardhurat që sigurojnë. Vështirësitë janë të panumërta, përkundër vullnetit që kanë për punë. Asnjëra nuk gëzoi mbështetjen e institucioneve lokale e qendrore.
Dita nis herët për Safeten, e cila merret me veprimtari të ndryshme gjatë tërë vitit. Gruaja amvise nga Vrella e Istogut, katër vjet më parë nisi biznesin nga shtëpia duke prodhuar reçelë, ajvarë e kompotë. Pjesë e saj është edhe bletaria, ku kujdeset për më shumë se 20 koshere.
“Ne kemi nisur prej fillimit se çdoherë kemi prodhuar kapak sa për vete, për fëmijë, po tash kemi nis që katër vite me prodhuar edhe më shumë, sepse kanë nisur kapak me kërkua dhe 50-60 kilogram i bëjë reçel… Kemi shkuar dhe i kemi blerë, sepse ne nuk kemi kumbulla tona dhe i kemi marrë dhe i kemi sjell tek shtëpia. Dhe janë ardhur direkt te shtëpia i kanë marrë, dikush nga pesë kilogram, nga 10 kilogramë dhe kemi nis me u zgjeruar më shumë”, tregon ajo për KP.
Teksa numëron llojet e reçelave që prodhon, ajo përmend edhe vështirësitë që nuk janë të pakta.
“Janë me kumbulla, janë me dredhëza, me boronica, ka pekmeze të mollëve, të dardhave dhe çdo lloj i punojmë veç me pas shitje. Vështirësi është boll se nuk është lehtë, sepse nuk kemi as makinat dhe kurgjo nuk kemi përveç si nënat tona që i kanë përgatitur… Është një lloj vështirësi, është frika se qysh po të dalin. Prej fillimit kur të nisë është vështirësi derisa ta nisësh të marrësh veten, se ne jemi marrë veç me familje po tash kam qejf me zgjerua biznesin dhe i marrë dy-tri gra që punojnë të bëjmë këtu në shtëpi”, shton ajo.
Recetat e mëparshme po kërkohen edhe sot, por për Safeten është vështirë të punojë në metodat e vjetra. Ajo synon që produktet e saj të eksportohen jashtë vendit, por për këtë tregon se ka nevojë edhe për punëtore.
“Unë më së shumti punojë me zjarr, si nënat tona se as nuk kemi makina, as nuk kemi për bluarje e as miksera. Vetëm e ndezim zjarrin dhe me disa tava, reçelat i ziejmë në shporete të zi që kanë qenë, se jo që kemi marrë diçka. As nuk ka ardhur në shprehje me të përkrahë bile dikush. Një përkrahje sa do të vogël, sepse me pas përkrahje edhe mundem me u zgjerua edhe më shumë gra me u punësua”, rrëfen Bicaj.
Që nga vegjëlia me këtë veprimtari merret edhe Miroslavka Simonoviq nga Gorazhdeci. Receta të ndryshme të përpunimit të frutave, ajo thotë se i ka trashëguar nga e ëma e saj.
“Unë kam rreth dhjetë lloje reçelash, kjo është e gjitha bio, sepse i përgatis për familjen time, fëmijët e mi, për miqtë e mi, kështu kur vjen dikush, t’ia dhuroj dikujt dhe kështu…01:28 Ka prej kumbulle, dredhëze, shipak, molle, dardhe, të mos i përmend të gjitha, kajsie, rrushi”, shton ajo.
Me vullnetin e saj për punë ajo synon që të mbajë në këmbë biznesin dhe familjen. Përkundër kësaj, Miroslavkës nuk po i mjafton që të arrijë të ketë shitje në masë të madhe.
“Do kishte shitje po të kishte kushte që kjo të zgjerohej për të punuar, kështu që cilësia që bëjmë është shume e mirë, punojmë sipas recetave të gjysheve, siç kanë punuar më parë, nuk ka as konservansa e as diç që është e dëmshme, ekskluzivisht bio punojmë dhe do kishim blerës që janë të interesuar për produktet tona për të blerë por nuk kemi kapacitete, nuk kemi hapësira ku mund të punojmë dhe makineritë që na duhen”, tregon ajo.
Edhe gruaja serbe nga Gorazhdeci i Pejës tregon se nuk posedon makineri të duhura për përpunimin e frutave.
“Tani në këto kushte është e vështirë, sepse çdo gjë e bëjmë në një stufë me dru dhe në një kazan ku e vlojmë, kryesisht unë dhe burri im, burri më ndihmon, ne të dy punojmë vetë… 03:58… 4:11 Fillimisht t’ju them se mua më pëlqen shumë të bëj këtë punë dhe dëshira ime është që njohuritë e mia t’ia kaloj vajzës dhe nuses që edhe ato të dinë ta bëjnë këtë ushqim të shëndetshëm. Ndërsa, sfidat janë kushtet e vështira, siç thash, të ishte kjo e pajisur që të funksiononte normalisht, kish pasë mundësi që shumë gra të punësoheshin në prodhim që të bëhet si një mini-prodhim i ushqimit të shëndetshëm”, shprehet Simonoviq.
Safetja dhe Miroslavka kërkojnë nga institucionet vëmendje që të arrijnë të mbajnë biznesin që kanë nisur kohë më parë. Ato janë të gatshme që të punësojnë edhe gra të tjera pranë fshatrave ku jetojnë.

Back to top button