Osmani: Kjo liri e ky shtet mbajnë vulën e komandantit Adem Jashari

(Lajm i përditësuar)
Kurti: Ofensiva serbe në Prekaz nxiti mobilizimin e UÇK-së që mori mbështetje nga NATO-ja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në ceremoninë e FSK-së për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti ka thënë se më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në familjen e Shaban Jasharit në Prekaz u luftua nga Serbia fashiste e Sllobodan Millosheviqit, e cila ka menduar se duke vrarë Adem dhe Hamëz Jasharin, mund ta shuante UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë për çlirimin e Kosovës.
Kurti në fjalimin e tij të dielën në kazermën “Adem Jashari”, ka thënë se kjo luftë e ndezur nga forcat serbe në Prekaz, e nxiti edhe më shumë mobilizimin dhe përbashkimin e njerëzve rreth UÇK-së, të cilët e arritën edhe mbështetjen e NATO-s, me përkrahjen e së cilës iu dha goditja përfundimtare Serbisë dhe u çlirua Kosova më 1999.
“Më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998, anëtarët e familjes Jashari rezistuan në vendlindjen e tyre, aty ku ndër breza kishin mësuar ta donin atdheun. Në familjen e Shaban Jasharit në Prekaz u luftua për tri ditë rresht nën një rrethim të blinduar nga disa mijëra trupa policore të Serbisë që me makineri ushtarake me përmasa frontale qëlluan me predha dhe bombarduan mbi shtëpitë Shabanit, duke vrarë gjithsej 59 njerëz. Serbia fashiste e Millosheviqit kishte menduar atëkohë gabimisht që duke e vrarë Ademin dhe Hamzën mund ta shuante UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë për çlirimin e Kosovës, por duke ndezur luftën në Prekaz, ajo vetëm sa e nxiti edhe më shumë mobilizimin dhe përbashkimin e njerëzve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga disa grupe personash të armatosur me luftën e saj të drejtë dhe të çiltër, arriti ta fitonte edhe përkrahjen e NATO-s e veçanërisht të SHBA-së, që u përfshinë më pas në luftë për t’i dhënë bashkë goditjen përfundimtare Serbisë dhe për ta çliruar Kosovën në vitin 1999”, ka thënë ai.
Sipas tij, ushtarët e FSK-së, nuk duhet harruar që po mbajnë uniformën e prejardhur nga uniforma e kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jasharit.
Osmani: Kjo liri e ky shtet mbajnë vulën e komandantit Adem Jashari
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila mori pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit 25-vjetorit të rënies së familjes Jashari, tha se ajo ngjarje e ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës dhe i tregoi botës se çfarë mund të arrijë një popull që e do dhe e meriton lirinë.
Presidentja Osmani theksoi po ashtu se kjo liri dhe ky shtet mbajnë vulën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe të 3 mijë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mijëra luftëtarëve që janë sot mes nesh.
“Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është vetëm një histori lufte dhe beteje, por një histori e qëndrueshmërisë e këmbënguljes dhe e shpresës. Është një histori sakrifice, por edhe histori triumfi ndaj krimeve të shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Këta burra e gra iu përgjigjen kushtrimit për liri, ndaj me trimëri e guxim e vetëmohim të pa lëkundur luftuan për ta mbrojtur shtëpinë tonë, Kosovën, e për ta siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Ata nuk ishin thjesht ushtarë, ata ishin dhe mbesin heronj. Kjo liri e ky shtet mbajnë vulën e komandantit legjendar Adem Jashari, familje së tij dhe të 3 mijë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mijëra luftëtarëve që i kemi sot mes nesh. Ata janë mishërim i trimërisë dhe i nderit, prandaj në ditët e Epopesë, kujtojmë jo vetëm ata që dhënë jetën për liri tonë, por edhe trimërinë dhe guximin e gjithë ushtarëve tanë që luftuan pa kursyer asgjë për ta mbrojtur kombin dhe vendin tonë. Kosova është shtet i pavarur dhe i tillë do të jetë përjetësisht. Kosova është amaneti i tyre, e tashme dhe e ardhmja e brezave”, theksoi Osmani.
Ajo tha se jemi duke jetuar në një kohë pasigurie globale, porse “do të marrim forcë nga heronjtë tanë dhe amaneti i tyre”.
“Duke nderuar përjetësisht Jasharajt legjendar, Prekazin historik dhe të gjithë të rënët nën flamurin madhështor të UÇK-së marrim frymëzimin dhe energjinë dhe pashtershme për të marshuar përpara në rrugëtimin e pandalshëm e të pa thyeshëm për të realizuar idealin e tyre të shenjt në ruajtjen dhe mbrojtjen e integritetit territorial dhe të sovranitetit shtetëror të vendit tonë të pavarur”, theksoi ajo.

Back to top button