Greva ka efekt negativ psikologjik te fëmijët

Nxënësit në Kosovë këtë vit pushuan një muaj më shumë, kjo pasi që viti i ri shkollor nuk filloi sipas planifikimit më 1 shtator. Ky muaj mësimdhënësit i gjeti në grevë.
Përveç që nxënësit mbetën prapa në mësime, një gjë e tillë ndikoi keq edhe në aspektin psikologjik të tyre. Kështu pohon për portalin rtv21.tv, psikologu Besnik Peci. Ai tha se greva ka efekt negativ psikologjik te fëmijët.
“Ndikon negativisht në entuziazmin e fëmijëve për arritje akademike si dhe ndikon në uljen e nivelit të socializmit. Për shkak mungesës së madhe në shkollë dëmtohet edhe raporti me mësuesen, arsimtaret, profesorët dhe cenohet kohezioni që kanë ndërtuar apo pritet ta ndërtojnë.”, tregoi Peci për portalin rtv21.tv
Para dy ditësh Ministria e Arsimit ka nxjerrë vendim për plotësimin dhe ndryshimin e Kalendarit të vitit shkollor 2022-2022. Me këtë vendim do të ndryshohet Kalendari i vitit shkollor 2022-2023, për shkak të 22 ditëve të pambajtura të mësimit gjatë muajit shtator 2022, si pasojë e grevës së mësimdhënësve. Tetë  ditë të mësimit të pambajtura për parafillore dhe klasat (1-8) sipas UA-05/2022 për Kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 do të mbahen ditëve të shtune, si në vijim: Në muajin Tetor, 2022 mësimi mbahet më datat 15.10.2022, 22.10.2022 dhe 29.10.2022; Në muajin Nëntor, 2022 mësimi mbahet më datat 12.11.2022 dhe 26.11.2022;Në muajin Dhjetor, 2022 mësimi mbahet më datat 10.12.2022 dhe 24.12.2022;Në muajin Janar, 2023 mësimi mbahet më datë 14.01.2023.
Por, të shtunat nuk janë ide e mirë e kompensimit të mësimit sipas paskiologut Peci.
“Sepse edhe fëmijët mezi e presin të kalojnë kohë relaksuese me prindërit e tyre.”, tha psikologu për portalin rtv21.tv.
Ai po ashtu pranoi se duke marrë parasysh rrethanave të krijuara kur mësimi nuk fillon në kohën e planifikuar, kjo mund të ndikojë që fëmijët të zbehin imazhin pozitiv për shkollën.
“Po shkollës dhe mësimdhënësve tashmë ju ka cenuar integriteti i tyre njerëzor dhe profesional. Pavarësisht mosmarrëveshjeve duhet të ketë respekt reciprokë mes të përfshirëve në proces.”, bëri thirrje psikologu Besnik Peci.
Mësimdhënësit kishin hyrë në grevë më 25 gusht të këtij viti, ata kërkuan që t’i marrin 100 euro shtesë në pagë deri në miratimin e Ligjit për Paga. Qeveria ofroi pako mbështetëse përmes së cilës të gjithë punëtorët e sektori publik do të merrnin 50 euro shtesë në pagë, mësimdhënësit dhe shërbyesit civilë vazhduan sërish grevën deri më 3 tetor kur vendosën ta pezullojnë deri në janar të vitit 2023.
Por, Qeveria nuk ekzekutoi pagën e shtatorit për mësimdhënësit me arsyetimin se nuk punuan, pagat u ekzekutuan për shërbyesit civilë ani pse edhe ata ishin në grevë. Një gjë e tillë nuk u prit mirë nga SBASHK, kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari paralajmëroi se mund të hynë sërish në grevë nëse nuk ekzekutohen pagat./21Media

Back to top button