Mantelbardhët e QKUK-së pezullojnë protestën

Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së njoftoi antarësinë, infermierët, mamitë dhe profesionistë tjerë shëndetësorë që pas zhvillimeve të fundit pezulloi protestën e paralajmëruar për sot.
Nga kjo shoqatë bënë të ditur se pas takimit me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, ky i fundit është zotuar për rishqyrtimin e urdhëresave të përmes të cilave diskriminohen infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor në QKUK.
“Në këtë takim janë dakortësuar që të krijohet shpejtë një grup punues për rishqyrtim dhe hartim, qoftë edhe të urdhëresave të cilat në realitet do kishin efekt pozitiv në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, mirëpo duke mos i diskriminuar dhe ngarkuar edhe më tepër infermierët në QKUK, të cilët edhe ashtu janë skajshmërisht të mbingarkuar”, thuhet në njoftim.
Kryesia e Sindikatës vendosi që deri në rishqyrtimin e këtyre urdhëresave dhe krijimin e grupit punues, të ftoj të gjithë antarësinë, infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë që të mos i zbatojnë 4 pikat e urdhëresave të cilat thonë se i “konsiderojnë diskriminuese, denigruese dhe që kanë elemente të përdorimit të standarteve të dyfishta në raport me komunitetet tona”.
“Në rast se nuk do anulohet këto urdhëresa, Kryesia dhe Këshilli Drejtues në takimin e javës së ardhshme do angazhohet që të ndërmarrim veprime radikale sindikale për barazi dhe në kundërshtim të tendencave që komunitetet tona të shpërfaqen si të parëndësishme. Nuk do ketë paqe sociale në QKUK deri sa të kuptohet që komunitetet tona nuk janë qytetarë të dorës së dytë, ndërsa po ashtu nuk do mund të përjashtohen nga proceset dhe t’u cenohen të drejtat e tyre”, thuhet tutje në njoftim./21Media

Back to top button