Greva në arsim, fëmijët po dëmtohen në mësim-nxënie dhe shëndet mendor

Zakonisht vendin e kanë në klasa të shkollave, por sot bankat dhe karriget e disa shkollave u vendosën afër objektit të Qeverisë së Kosovës.

Koalicioni i Organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë vuri mbrapa çdo karrigeje mesazhet për dëmet që po i shkaktohen 320 mijë fëmijëve për shkak të grevës në arsim.

“Janë tri javë që rreth 320 mijë fëmijë janë jashtë bankave shkollore, nuk e kanë të drejtën e tyre elementare për arsim të cilët e kanë të mbrojtur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prej tyre janë 25 mijë fëmijë të cilët presin që të ulen për herë të parë në bankat shkollore. Situata e krijuar është jashtëzakonisht shqetësuese dhe e pa pranueshme sepse interesi më i mirë i fëmijës do të duhej të ishte konsiderata kryesore për të gjitha palët e përfshira në këtë proces. Dëmet janë shumë të mëdha të cilat shkaktohen te fëmijët me ndërprerjen e procesit mësimor, përmes mesazheve të cilat mund t’i merrni edhe në karriget mbrapa, jemi munduar që të tregojmë se cilat janë dëmet kryesore të cilat janë paraqitur te nxënësit, duke filluar nga mësimnxënia, pastaj te dëmtimi i shëndetit mendor të fëmijëve, mundësisë së shkaktimit të problemeve në familje, rritjen e dhunës në familje, rritjen e stresit tek nxënësit dhe prindërit, rritjen e mundësisë së përfshirjes më të madhe të fëmijëve në punë të rënda dhe në situatë rruge janë shumë e shumë dëme të cilat shkaktohen tek nxënësit”, tha Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë.

Koalicioni i Organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë bëri thirrje që  palët e përfshira në dialog të kenë kujdes më të madh ndaj fëmijëve, pasi që, sic thanë, dëmet që u janë shkaktuar nxënësve janë të pariparueshme

“Sigurisht mungesat e mëdha të orëve të mësimit është shumë vështirë të kompensohen, aq më shumë për gjeneratat e reja që fillojnë për herë të parë e kësaj rradhe. Kemi edhe moshën shumë më të ndjeshme prej lindjes deri në pesë vjeç, që ndikimi në zhvillimin e tyre të përgjithshëm është i dëmshëm dhe sigurisht kjo pasojë e mungesës së kontaktit me fëmijët e tjerë me mësimdhënës, edukatorë, asistentë të tyre, sigurisht do të ndikojë ndjeshëm.9.11 Pjesa e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe fëmijët që në forma të ndryshme i është cenuar edhe më herët e drejta në pjesëmarrje në arsim, mungesa e tillë i ka kushtuar edhe më shumë deri më tani, mund ta paramendojmë një fëmijë më aftësi të kufizuar që tashmë 17 ditë nuk ka qenë në mësim dhe regresi që mund të shkaktohet te nxënësit e tyre është i pariparueshëm”, tha Remzije Krasniqi- Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë.

Edhe ky pensionist që doli në shenjë revolte për situatën në të cilën fëmijët gjenden, shpreh shqetësimin se si do të kompensohet mësimi për fëmijët, përfshirë edhe dy mbesat e tij.

“Dola në protestë për shkak të mos hapjes së shkollave, grevës së sindikalistëve. Unë i kam dy mbesa të cilat kanë pritur të fillojnë mësimin, ne pothuajse kemi humbur një muaj mësim kur do t’i mbërrijmë nxënësit atë një muajshin me sistem të shpejtuar të ligjëratave, me orar të cunguar apo me orare të shtuar, ky vit faktikisht ka me qenë i dështuar. Është puna e sindikalistëve, puna e SBAShK-ut, mirëpo nëse nuk vazhdohen nuk kompensohen orët fëmijët do të humbin më së shumti dhe kjo po reflektohet edhe në provimet e PISA-ve që fatkeqësisht jemi në fund… Fajtori sa për neve është SBAShK-u sepse SBAShK-u ka qenë dashur që këto punë me i shtjelluar më herët, nuk është mirë që dikush të lëshoj pe dhe dikush të mos lëshoj. Qeveria lëshoj pe ku ka paguar të gjithë mësimdhënësit nga 50 euro dhe ka ligjin që do të aprovohet së shpejti, me atë ligj parashihet se rrogat e mësimdhënësve do të jenë më të mëdha sesa këtë 100-euroshin që po kërkojnë këta”, tha Ylber Tufa, pensionist.

Greva në sektorin publik përfshirë edhe arsimin ka nisur më 25 gusht. Si pasojë e grevës tash tri javë më shumë se 300 mijë nxënës në tërë Kosovën kanë mbetur në shtëpi./21Media

Artikuj të ngjashëm

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button