Greva, Oda Amerikane thërret për dialog të sinqertë dhe kompromis

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar lidhur me grevën e mësimdhënësve dhe punëtorëve të sektorit publik.
“Oda Amerikane shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me vazhdimin e grevës së mësimdhënësve të sektorit publik në javën e katërt të fillimit të vitit shkollor, si dhe mungesën e vullnetit për gjetje të kompromisit që do t’i jepte fund grevës.”, thuhet në njoftimin e Odës Amerikane.
Oda Ekonomike Amerikane vlerëson se mosmbajtja e mësimit në sektorin publik çon në pasoja shumëdimesionale në shoqërinë kosovare, përfshirë edhe performancën akademike të nxënësve.
“Migrimi i madh i popullsisë përgjatë viteve të fundit – konfirmuar edhe nga institucionet vendore por edhe ato ndërkombëtare- si reflektim i zhgënjimit social dhe të kërkuarit të prespektivës për jetë më të mirë jashtë vendit, përkeqësohet më tej në situatën aktuale ekonomiko-sociale nëpër të cilën po kalon vendi.”, vazhdon reagimi.
Oda Ekonomike Amerikane rikujton institucionet përgjegjëse se gjendja aktuale që lidhet me eskalimin e shpejtë dhe të vazhdueshëm të kostos së jetesës, kërkon masa adekuate konvecionale dhe jo vendime improvizuese, me efekte afatshkurtra apo kundërefekte.
“Në anën tjetër, duke shprehur konsideratë për kërkesat e përfaqësuesve të mësimdhënësve e të cilat lidhen me vështirësitë e përballimit të kostove të ngritura të jetesës, Oda Ekonomike Amerikane thërret për demonstrim të gatishmërisë për arritje të kompromisit, me qëllim të rinisjes së procesit mësimor dhe lejimit të së drejtës për edukim për fëmijët kosovarë.”, vijon reagimi.
Oda Ekonomike Amerikane bën thirrje që diskursi publik të jetë nxitës i arritjes së kompromisit dhe jo i përkeqësimit të raporteve ndërmjet partnerëve socialë.
“Në këtë aspekt, Oda Ekonomike Amerikane kërkon nga institucionet e vendit që të promovojnë dialogun e sinqertë me të gjithë hisedarët në vend. Qeverisja është përgjegjësi e institucioneve shtetërore, por në demokracitë e zhvilluara ajo kapërcen shtetin duke përfshirë edhe organizatat sociale, sektorin privat, dhe organizatat e shoqërisë civile në përgjithësi.”, përfundon reagimi.
Mësimdhënësit dhe një pjesë e punonjësve publik janë në grevë nga 25 gushti, ata po kërkojnë 100 euro shtesë në pagë deri në miratimin e Projektligjit për Pagat./21Media

Back to top button