Gripi i shpezëve në Kosovë, AUV thirrje fermerëve

 

Pas konfirmimit të prezencës se gripit të shpezëve në Kosovë, fermerët janë të obliguar të raportojnë secilin rast të ngordhjes apo dyshimit të paraqitjes se sëmundjes te shpezët e tyre.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë- AUV ka potencuar se fermerët po ashtu mund të kontaktojnë me praktikat veterinare të licencuara.

“Raportoni në numrin 0800 111 22 pa pagese 24h. Çfarë duhet të bëni si fermer për tu mbrojtur nga infektimi i fermës tuaj: Parandaloni kontaktin e shpezëve të tjera me shpezët tuaja, mbani shpezët në kushte të mira, mos shkoni në panaire, tregje, ekspozita apo vende tjera ku ka shpezë dhe zogj. Vendosni masat e biosigurisë ne fermë, vendos dezbarierat në hyrje dhe dalje të fermës, zvogëloni dhe kontrolloni hyrjet e njerëzve, pastroni dhe dezinfektoni objektet dhe pajisjet, veshjet dhe mbathjet e personave në kontakt me shpezët, nëse vëreni shenja të sëmundjes lajmëroni autoritetin kompetent, nëse keni ngordhje, njofto autoritetin i cili do të ju ndihmoj për asgjësim, në asnjë rast mos i hidhni në hapësira publike shpezët e ngordhura”, është bërë e ditur në njoftimin e AUV.

Gripi i shpezëve kryesisht përhapet nga kontakti i drejtpërdrejtë midis zogjve të infektuar dhe atyre të shëndosha. Gjithashtu mund të transmetohet, kur zogjtë bien në kontakt me pajisje ose materiale (përfshirë ujin dhe ushqimin për kafshë) që janë kontaminuar me jashtëqitje ose sekrecione nga hunda ose goja e zogjve të infektuar. Njerëzit gjithashtu mund të përhapin sëmundjen indirekt nga ferma në fermë duke mbajtur virusin në veshjet e tyre, çizmet ose përmes rrotave të automjeteve. Zogjtë e egër normalisht mund të mbajnë virusin pa u sëmurur vetë. /21Media

Back to top button