Grumbullohen basketbollistët/et me potencial për të ardhmen

Në fundjavën që lamë pas janë grumbulluar basketbollistët dhe basketbollistet, që shihen me potencial për të ardhmen dhe të jenë pjesë e Kosovës U14, në të dyja konkurrencat, që garon në Programin e YDF-së.
Në këtë grumbullim kanë marrë pjesë rreth 50 fëmijë të lindur më 2009-2010, e që shihen si kandidatë/e për U14 në të dyja konkurrencat.
Grumbullimi është mbajtur në Shkollën “Model” në Prishtinë, ndërsa e kanë udhëhequr Driton Obërtinca dhe Hasan Bytyqi te meshkujt dhe Valbona Bytyqi dhe Diamant Shabani te femrat.
Në javët e ardhshme do të mbahen grumbullimet e ardhshme, për të përcaktuar listën finale që do të përfaqësojnë Kosovën në Programin e YDF-së, ku marrin pjesë edhe Rumania, Bullgaria, Turqia dhe Maqedonia Veriore.
FBK dhe FIBA YDF kanë bashkëpunim që nga viti 2016, bashkëpunim ky, i cili ka ndihmuar në zbulimin e talenteve të rinj, edukimin e trajnerëve dhe ngritjen profesionale tek lojtarët.
Ky projekt është planifikuar që të krijojë përvojë ndërkombëtare për komunikim kulturor për fëmijët e përzgjedhur, trajnerët dhe menaxherët të cilët kanë potencial në basketboll./21Media

Back to top button