Gucati “kthehet” në Hagë me 200 mijë nënshkrime për lirimin ish krerëve të UÇK-së

Në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup u dëgjua zëri i shqiptarëve në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pak javë para shpalljes së vendimit për katërshen e UÇK-së, Speciales në Hagë do t’i dorëzohen edhe mbi 200 mijë firmat e mbledhura në mbrojtje të vlerave të luftës.

Ky peticion kombëtar, i iniciuar dy muaj më parë, do të dorëzohet pranë Speciales, të mërkurën nga i kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.

Ai u dënua për pengim të drejtësisë dhe u liria nga burgu në vitin 2023.

“Forma e fundit pas protestave ose aktiviteti ynë pas protestave ka qenë kjo e peticionit. Për këtë peticion afërsisht janë mbledhur rreth 70 mijë nënshkrime në formën online edhe mendojmë që diku të formës fizike dhe online arrin diku mbi 200 mijë është numri i atyre që kanë nënshkruar kundër padrejtësisë që po ndodhë në Gjykatën Speciale. Të cilës do i drejtohemi me datën 6 maj, nëse nuk gaboj diku në orën 10:00 e kemi lënë terminin që ta bëjmë pranim-dorëzimin e peticionit në Gjykatën Speciale, ku do të jetë edhe zotëri Gucati, kryetari do të jetë personalisht atje së bashku me disa bashkatdhetarë që të bëjnë dorëzimin e këtij peticioni edhe zyrtarisht”, njofton nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Gazmend Syla.

Syla shton për KosovaPress se ky peticion kishte për qëllim që t’i dërgohet Speciale një mesazh se shqiptarët kundërshtojnë një gjykim politik.

“Ka qenë ideja që një far forme me i thënë kësaj gjykate që në qoftë se ju do të vendosni të zhvilloni atje një gjyq politik, shqiptarët kudo që ata jetojnë i thonë jo një gjykimi politik por të bazuar në fakte dhe dëshmi nëse ka, përndryshe jo në emrin tonë. Nuk mund të vendosni të gjykoni historinë e luftës tonë në emrin tonë, në emër të shqiptarëve. Në takimet që kemi pasur me personalitete ndërkombëtare, qoftë me ambasadorë, qoftë me të tjerë na është thënë se po edhe për neve tepër e rëndësishme të kuptojmë përceptimin qytetar, përceptimin e opinionit publik, e prandaj meqë ata na kanë thënë kështu, ideja jonë ka qenë që të vazhdojmë aktivitetin tonë qoftë me protesta, qoftë me peticione, qoftë me kundërshtime të tjera që kemi bërë gjatë gjithë kohës si OVL-UÇK”, thotë ai.

Ani pse peticioni nuk ka efekt juridik, Syla thekson se është e rëndësishme që të pasqyrohet qëndrimi i shqiptarëve për procesin gjyqësor në Hagë.

“Meqë neve shumë personalitete ndërkombëtare na thanë që është shumë e rëndësishme edhe perceptimi i opinionit publik ose çfarë mendojnë qytetarët se çfarë po zhvillohet në Gjykatën Speciale atje, ne mendojmë që do të ketë një efekt në këtë aspekt, sepse efekt juridik ne e kuptojmë se peticioni nuk ka. Andaj, kjo dëshmia jonë prej rrugës tashmë edhe në letër, mendojmë që është njëra nga aktivitetet më të mira që kemi bërë tash, sepse një far forme edhe zyrtarisht ne po i drejtohemi Gjykatës Speciale që nuk mund të provoni të ndryshoni historinë tonë me gjyqe politike”, përfundon ai.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka prezantuar raportin preliminar të organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Ëales”, lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Shqetësime serioze ka konstatuar ky raport, i cili është dokument voluminoz i prezantuar të enjten në Prishtinë, ku mes tjerash konstaton se mandati i Speciales ka pasur devijim nga qëllimi fillestar.

Raporti evidenton shqetësime serioze lidhur me “kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare por edhe ato profesionale me ekipet e mbrojtjes”.

Ky raport është hartuar nga një organizatë e pavarur juridike me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, ku janë angazhuar ekspertë britanike me kërkesën e Institucionit të Avokatit të Popullit, pas shqetësimeve për mos respektim të standardeve për të drejtat e njeriut.

Çështja kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është mbyllur tanimë dhe rasti është në duart e gjykatësve për vendim. Ata më 18 shkurt kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare, ku janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Edhe ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Data e saktë e shpalljes së aktgjykimit ende nuk dihet

Show More
Back to top button