Gushti, muaji i zjarreve! Struga 53 dhe Kërçova 39 zjarre vetëm në muajin gusht

Korriku, gushti dhe shtatori janë muajt kur ka më shumë zjarre. Në rajonin perëndimor të vendit, nga janari deri më tani, numrat e zjarreve variojnë mbi 150 zjarre, por gjatë gushtit, në Ohër, Strugë dhe Kërçovë ky numër ishte në rritje. Në Komunën e Kërçovës. Që nga fillimi i vitit, zjarrfikësit kanë intervenuar në 153 vatra, ndërsa 39 raste janë vetëm në muajin gusht.

“Nga fillimi i këtij viti deri më sot kemi pasur 153 intervenime, disa kanë qenë intervenime teknike, d.m.th. diku 153 intervenime kemi kryer në teren, ndërsa nëse më pyesni konkretisht për muajin gusht ja tani i nxjerrim statistikat kemi 39 intervenime të gjitha janë zjarre”- deklaroi Goran Sokoleski, Komandant i Zjarrëfikësve në Kërçovë.

Në Strugë nga fillimi i vitit e deri më tani ka pasur 163 intervenime. Vetëm në muajin gusht janë bërë 53 ndërhyrje për të shuar zjarret.

“Në janar kemi 16 raste, në shkurt 31, në mars 13, në prill 18 raste, në maj 11 raste, në qershor kemi 10 raste, të korrikut 11 raste dhe të gushtit deri në këtë datë 53 raste. Muaji i shtatë, i teti muaj dhe i nënti muaj, muajin e 7 fillojnë zakonisht ka 15-20, por muaji i 8 është më i rrezikshëm për këta punë për zjarret”- tha Feti Mazari, Komandant I Zjarrëfikësve Strugë.

Ndërkaq në territorin e Ohrit ka pasur 170 intervenime për zjarre, ndërsa bashkë me ndërhyrje tjera të zjarrfikësve të Ohrit ka pasur 276 intervenime.

“Nga data 01.01.2023 e deri më sot, Njësia e Zjarrfikësve Ohër ka intervenuar në gjithsej 170 zjarre, si dhe me rastin e dhënies së ndihmës teknike në aksidente, sigurimin e ngjarjeve etj, deri më sot janë kryer gjithsej 276 ndërhyrje teknike”- pohoi Borko Jankuloski, Komandant i Zjarrëfikësve Ohër.

Për intervenime në terrene të rrezikshme, ku zjarrfikësit nuk mund të kenë qasje, kërkohet ndihmë nga Qendra për Menaxhim me Kriza dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, për intervenim me helikopterë dhe mjete tjera për terrene të vështira. Drejtori i mbrojtjes dhe shpëtimit Bekim Maksuti, tregon se vendi ka 3 aeroplanë për shuarjen e zjarreve, por ka mungesë stafi për shkak se ata që janë aktiv po shkojnë në pension tanimë. Kërkon që në konkursin e radhës të aplikojnë të gjithë ata që kanë përvoja të këtilla.

“Për momentin kemi t’i mbulojmë të gjitha pozicionet, siç e patë të tre avionët po fluturonin mbi Shkup për herë të parë pas 9 vitesh kryesisht nga viti 2014, nëse duam që të njëjtët t’i vendosim në forcat rezervë në mekanizimin e Bashkimit Europian duhet të kemi angazhim shtesë të pilotëve, teknikëve dhe personelit shtesë”- deklaroi Bekim Maksuti, Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim

Jo të gjithë njësite e Zjarrfikësve posedojnë kushte të mira për punë në vendin tonë. Ka njësi komunale që ende punojnë me kamionë që nga koha e ish-Jugosllavisë. Ndërkaq kujtojmë se për zjarre të mëdha kujdeset Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, buxheti i së cilës është 5 milionë euro./TV21

Back to top button