Dyshohet se vidhnin dhe shisnin ilaçet kundër kancerit/ Policia bastis Onkologjinë, Prokuroria po mbledh dëshmi

Policia kreu bastisje në Klinikën e Onkologjisë në Maqedoninë e Veiut nën dyshimet se disa mjekë dhe personel mjekësor kanë vjedhur medikamente për kurimin e kancerit dhe të njëjtat i kanë shitur në tregun e zi. Sipas informacioneve që ka publikuar “Fokus”, në sistem janë regjistruar familjarë të afërm të ish menaxhmentit të klinikës të cilët realisht nuk janë të sëmurë me kancer, por ilaçet e dedikuara për ta, janë ri-shitur me çmime të majme. Për këtë bastisje me njoftim doli edhe Prokuroria.

“Pjesëtarë të MPB-së kryen bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione në banesa private në Shkup. U konfiskuan kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe dokumente tjera të cilat do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Kontrollet bëhen me qëllim mbledhjen e dëshmive që të hetohen shenjat eventuale të veprës penale.”- thanë nga Prokuroria Publike.

Me mbështetje për aksionin doli Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, i cili tha se e dënon fuqishëm tentativat dhe veprimet e individëve apo grupeve, të cilët siç thotë, kanë shkaktuar dëme të pariparueshme në shëndetin dhe jetën e pacientëve.

“Mbështetje të fortë për aksionin e prokurorisë dhe policisë në Klinikën e Onkologjisë. Si ministër, dënoj fuqishëm të gjitha tentativat dhe veprimet e individëve apo grupeve, të cilët, nëpërmjet kompetencave diskrecionale dhe mënyrave të marrjes së vendimeve në favor të tyre, kanë shkaktuar dëme të pariparueshme në shëndetin dhe jetën e pacientëve, qytetarëve dhe shtetit. Pres që institucionet të marrin një vendim sa më të shpejtë në raport me hetimin.”- deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Sipas informacioneve të “Fokus”, pacientëve u ështl dhënë gjysma e terapisë, ndërsa pjesa tjetër ka përfunduar në Kosovë. Sa i përket pacientëve të cilët e kanë vërejtur sëmundjen në kohë, për të filluar me terapi, kanë paguar edhe nga 700 euro para në dorë. Gjithashtu, në këtë klinikë janë përdorur edhe citostatikë me afat të skaduar, janë krijuar histori fiktive të miqve dhe familjarëve, e të cilat më vonë janë fshehur apo shkatërruar. Në këto histori janë gjetur edhe persona të vdekur apo persona të cilët kanë qenë në fazën përfundimtare të sëmundjes, dhe u janë shkruar doza të mëdha të imuno-terapisë./TV21

Back to top button