Guvernatori uron Ditën Ndërkombëtare të Bankave

 

Në Ditën Ndërkombëtare të Bankave, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka vlerësuar lart përpjekjet e sektorit bankar në mbështetje të zhvillimit ekonomik, sjelljes së inovacionit dhe modernizimit të vazhdueshëm të shërbimeve.

Sipas Mehmetit, përgjatë viteve, sektori bankar  është zhvilluar me një ritëm të shpejtë, në hap me standardet bashkëkohore të bankingut duke avancuar në mënyrë të vazhdueshme shërbimet financiare për ekonominë e vendit, duke ruajtur qëndrueshmërinë financiare si dhe besimin e lartë të publikut.

Ai përmes një komunikate për media tha se angazhimi i pakursyer i këtij sektori që nga shfaqja e pandemisë në vendin tonë, ku përmes bashkëpunimit është arritur që t’u dilet në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve në njërën anë dhe në anën tjetër duke e mbajtur sektorin bankar të sigurt dhe likuid.

Më 19 dhjetor 2019, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 74/245, e cila përcaktoi 4 dhjetorin si Ditë Ndërkombëtare të Bankave përmes të cilës njihet potenciali i rëndësishëm i bankave në zhvillimin e financimit të qëndrueshëm dhe sigurimin e ‘know-how’, dhe gjithashtu në njohjen e rolit jetësor të sistemeve bankare në Shtetet Anëtare për të kontribuar në përmirësimin e standardit të jetesës./21Media

Back to top button