Haddad: Do të punojmë që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në Këshillin e Evropës

Ministri i Deleguar për Evropën i Francës, Benjamin Haddad, ka shprehur mbështetjen e vazhdueshme të Parisit për Kosovën, duke theksuar se Franca do të punojë që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në Këshillin e Evropës.
Në konferencën për media pas takimit me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, Haddad tha se vizita e tij në Prishtinë është dëshmi e miqësisë së kahershme mes dy vendeve dhe synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
“Kam kënaqësinë që jam sot në Prishtinë si mik personal i Kosovës dhe si përfaqësues i presidentit Emmanuel Macron. Përtej miqësisë sonë, marrëdhëniet mes Francës dhe Kosovës janë të kahershme. Mbështetja jonë ka qenë gjithmonë e qëndrueshme dhe unë e konsideroj veten mik të Kosovës prej shumë vitesh”, tha Haddad.
Ai theksoi se Franca është e gatshme të mbështesë Kosovën edhe financiarisht në fusha të ndryshme, me qëllim forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Jemi të gatshëm që ta përkrahim financiarisht Kosovën edhe në fusha të tjera”, u shpreh ministri francez.
Duke folur për proceset integruese të Kosovës, Haddad tha se gjatë takimeve me zyrtarët kosovarë është diskutuar edhe për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.
“Do të punojmë së bashku që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në Këshillin e Evropës”, deklaroi Haddad.
Konjufca pret në takim ministrin francez
Ka nisur takimi i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcës, me ministrin e Deleguar për Evropën nga Franca, Benjamin Haddad.
Haddad i shkoi në takim Konjufcës bashkë me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
Pas takimit, Konjufca dhe Haddad do të mbajress.në konferencë për media.
Ministri francez sot në Kosovë, takohet me Konjufcën
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, do të presë sot në orën 09:00 në takim ministrin e Deleguar për Eruopën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad.
Pas takimit dypalësh, Konjufca dhe Haddad, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, do të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, arsimit dhe organizimit të Lojërave Mesdhetare.
Më pas, ministrat Konjufca dhe Haddad do të mbajnë një deklaratë të përbashkët për media.
Mbrëmë, kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, i ka uruar mirëseardhje ministrit francez për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.
Zulfaj i deleguar në këtë takim nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, tha se Kosova qëndron në solidaritet me Francën, e cila po përballet me zjarret e mëdha pranë Bordosë.
“Mirë se vini në Republikën e Kosovës, ministër Benjamin Haddad! Është kënaqësi t’ju mirëpresim në vizitën tuaj të parë zyrtare. Kosova qëndron në solidaritet me Francën, teksa ajo po përballet me zjarret e tmerrshme pranë Bordosë”, ka shkruar Zulfaj në “X”.
Ai shtoi se Kosova dhe Franca janë aleatë dhe i uroi ministrit francez një vizitë të këndshme dhe produktive.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?