Hajdari: Deklarata ime për reciprocitetin u keqinterpretua

 

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se deklarata e sotme e saj rreth reciprocitetit është keqinterpretuar. Ajo ka mohuar të ketë thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve.

”Deklarata ime në konferencën e sotme rajonale të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, lidhur me vendosjen e masave të reciprocitetit është keqinterpretuar. Unë nuk kam thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve, por kam thënë se nuk kam dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë. Aktualisht po i finalizojmë analizat e gjendjes së raportit tregtar, para se të veprojmë. Tani kemi edhe drejtor të ri të doganave dhe meqë shumë prej barrierave të Serbisë nuk janë sistemike por sporadike, ne na duhet t’i përgatisim mirë zyrtarët tanë doganorë për ta zbatuar reciprocitetin”, ka shkruar Hajdari në Facebook.

Hajdari sot në konferencën rajonale “Ndikimi ekonomik dhe pasojat e krizës” ka deklaruar se s’ka dashur që të vendosë menjëherë reciprocitetin me Serbinë, por të shfrytëzojë mekanizmat rajonalë që të zgjidhin problemet që ekzistojnë mes dy shteteve.

Deklaratën e ministres Hajdari, zëvendësministri i MEPTINI-s, Edison Jakurti, i cili e ka quajtur skandaloze. Ai ka theksuar se deklarata e ministres Hadari është mungesë e thellë e të kuptuarit se për çka shërben reciprociteti në tregtinë ndërkombëtare.

“Deklaratë skandaloze. Mungesë e thellë e të kuptuarit se për çka shërben reciprociteti në tregtinë ndërkombëtare. Ai është mjet, nuk është qëllim”, ka shkruar Jakurti./21Media

Back to top button