Opozita kërkon shkarkimin e Sveçlës, fton veteranët për vetëpërmbajtje në protestë

(Lajm i pëditësuar)


Halimi: Qytetarët të mos bien pre e gjuhës së urrejtjes

Pas sulmit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ndaj gazetarëve ka reaguar edhe Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi.

Në një postim në Facebook, Halimi ka thënë se ky etiketim është i papranueshëm dhe i rrezikshëm.

”I papranueshëm dhe i rrezikshëm etiketimi i dy gazetarëve, Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi nga Ministri i Punëve të Brendshme. Sulmi që po u bëhet vlerave më bazike të mendimit dhe shprehjes së lirë nga kjo kastë politike, kërkon reagim gjithëshoqëror dhe dënim pa hezitim. Shoqëria duhet të jetë kohezive në luftimin e kësaj mendësie parapolitike e primitive, që po e shpie vendin drejt një diktature. Qytetarët nuk duhet të bien pre e kësaj gjuhe të urrejtjes dhe polarizimit që vije nga eksponentët e këtij pushteti. Ata duhet të mobilizohen për mospranim të kësaj gjuhe urrejtjeje e të angazhohen për paqe e komunikim civil”, ka shkruar Halimi.

 


Haradinaj-Kurtit: Nuk ta kanë fajin veteranët, as shoqëria civile, as mediat, as gazetarët

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se kryeministri, Albin Kurti fajin e ke vet që nuk po qeverisë me vendin, por po mundoher ta sundojë atë.

”Albin Kurti, tërhiqi mbrapshtë sejmenët e tu. Lëri njerëzit të protestojnë për të drejtën e tyre dhe mos e ndajë e mos e përçajë popullin. Ato që dikur e ke shfrytëzuar si të drejta per vete, (protestat e demonstratat) mos provo t’ua ndalosh të tjerëve. Nuk ta kanë fajin veteranët, as shoqëria civile, as mediat, as gazetarët e as opozita! Fajin e ke vet që nuk po qeverisë me vendin, por po mundohesh ta sundosh atë. Unë sot jam me të gjithë ata që protestojnë në sheshet e Prishtinës”, ka shkruar Haradinaj.

 


AGK i reagon Sveçlës: Gjuhë e rrezikshme ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj postimit të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, publikimet të përgjimeve në media i lidhi me luftën hibride nga Serbia.

AGK vlerëson se Sveçla ka përdorur gjihë të rrezikshme dhe të papranueshme në derejtim të mediave dhe gazetarëve.

“Ministri Sveçla insinuon se audio-incizimet e Shefes së Grupit Parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari Lila me ish-deputetin e Srpskas, Simiq u janë dhënë medieve kosovare nga presidenti serb, Vuçiq. Ministri gjithashtu akuzon gazetarët Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi për organizimin e protestës së veteranëve. Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediet. “, thuhet në reagimin e AGK-së.


Krasniqi reagon ndaj deklaratave të Sveçlës: Qeveria kërkon eskalim të protestës, ftoj veteranët për vetëpërmbajtje dhe qetësi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi reagoi pas deklaratës së  Ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili protestën e veteranëve, publikimet të përgjimeve në media i  lidhi me luftën hibride nga Serbia.

Krasniqi tha se Qeveria po kërkon përplasje. Ai tha se veteranët kanë paralajmëruar prostestë paqësore, deri sa shtoi se Sveçla dha atë deklaratë për ta eskaluar këtë protestë.

“Përmes një deklarate skandaloze dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve, nxitëse mbi të gjitha – Qeveria e Albin Kurtit po kërkon përplasje. Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj.Veteranët kanë paralajmëruar sot protestë paqësore, për të kërkuar respekt dhe dinjitet nga një Qeveri e cila po i diskriminon në çdo hap e vendim.Pikërisht, për ta eskaluar këtë protestë që veteranët tanë të përballen me policinë, vëllezërit dhe motrat e veta, një ministër pa karakter si Xhelal Sveçla del me fyerje dhe nxitje të tilla.”, shkroi Kurti në Facebook përcjell portali rtv21.tv

Sipas liderit të opozitës, Qeveria e ka humbur arsyen duke ftuar veteranët për prostestë të qetë.

“Kjo Qeveri e ka humbur arsyen. E ka humbur rrugën. Shpëtimin, sikur gjatë gjithë historisë së saj, e kërkon në përplasje civile.Turp i madh! Fatkeqësi e madhe!Gjithsesi, kjo është vetëm një tentativë e ulët e Qeverisë, e dështuar në të njëjtën kohë që përmes nxitjes dhe skandalit të radhës ta heq vëmendjen nga koordinimi i Albin Kurtit me Millan Radojçiqin, përmes shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila.Përgjimet dëshmuan se kush me kë po koordinohet dhe me kë po bashkëpunon – edhe në dëm të interesit të vendit. Ftoj veteranët dhe të gjithë pjesëmarrësit sot në protestë për vetëpërmbajtje dhe qetësi. Mos bini pre e këtij orkestrimi antikombëtar!”, përfundoi Krasniqi.


Çitaku e quan skandaloze deklaratën e Sveçlës: Po sillesh si Komisar, turp dhe mjerim

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës e ka quajtur skandaloze deklaratën e Ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili protestën e veteranëve, publikimet të përgjimeve në media i  lidhi me luftën hibride nga Serbia.

“Ministër, je aty me e mbrojtë rendin, ligjin, Kushtetutën. Jo me i sulmu mediat. Jo me e cenua fjalën e lirë. Po sillesh si Komisar. E për gjuhën kundër veteranëve, s’po flas. Turp dhe mjerim.”, shkroi Çitaku në Facebook, përcjell portali rtv21.tv


Abdixhiku kërkon shkarkimin e Sveçlës: Gjuha e tij kërkon dhunë e krizë

Lideri Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku reagoi ndaj deklaratës së sotme të ministrit Xhelal Sveçla, i cili protestën e veteranëve e lidhi me luftën hibride nga Serbia.

Ai e kërkoi shkakrimin e Sveçlës,  duke thënë se gjuha e ministrit të Punëve të Brendshme kërkon përplasje, dhunë e krizë, përcjell portali rtv21.tv

“Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit të Punëve të Brendshme. Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë. Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë. Kjo gjuhë, e dhënë tani, kërkon përplasje. Kërkon dhunë e kërkon krizë. Duket se mendja e pushtetit është mu në dhunë e krizë. Sot, megjithatë na duhet maturi. Na duhen mendje të urta, që afrojnë e s’ndajnë. Sot, mbi të gjitha na duhen politikanë që distancohen nga një mendësi primitive e tillë. E mendësia e tillë meriton veçse shkarkim. Asgjë më pak. Kosova meriton më mirë. Kosova duhet ta bëjë një rrugë të re. Kjo gjuhë, dhuna e nxitja e saj, nuk kanë vend.”, shkroi Abdixhiku në Facebook.


Buzhala reagon ndaj deklaratave të Sveçlës: Hera e parë që ministri sulmon kaq brutalisht dhe kaq pa fakte gazetarët

Gazetari Berat Buzhala ka reaguar pas  postimit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili publikimin e video-incizimeve dhe protestën e veteranëve e cilësoi si “luftë hibride” të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Buzhala  të cilit Sveçla ia ka përmendur emrin në at postim, ka thënë se kjo është hera e parë që Ministri i Punëve të Brendshme i sulmon kaq brutalisht dhe pa fakte gazetarët. Sipas Buzhalës, problemi i Sveçlës është publikimi i audio-incizimeve e jo biseda e Kusari

“ Cdo veteran i UCK’se qe ka rroke arme me dore – Xhelali, Albini, Liburni, Glauku nuk jane te tille – cdo mbeshtetes i luftes çlirimtare, ka arsye me qene mllefosun nga gjuha e Mimozes, e Albinit dhe Xhelalit.
Ata po e mbrojne Mimozen e Milanin, e jo veteranin”, ka shkruar Buzhala.

Publikimi i përgjimeve, protesta e veteranëve, Sveçla: Vuçiqi po tenton të nxisë trazira në Kosovë

Duke komentuar protestën e veteranëve të luftës të paralajmëruar për sot, përgjimet e publikuara në media, dhunën në Kuvend, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e humb betejën në terren në raport me kryeministrin Albin Kurti, dhe sipas tij, tani Vuçiq po tenton të nxisë trazira brenda Kosovës përmes luftës hibride. Si nxitje të trazirës, Sveçla e ka konsideruar protestën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të paralajmëruar për sot.

“Vuçiqi po e humb betejën në terren me Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë. Ai po e humb ndikimin në veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave. Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA. Belgjika dhe Britania e Madhe ia suspenduan licencat për prodhimin e armatimit, nën dyshimet se kishte furnizuar me municion e armatim edhe Rusinë e sanksionuar. Në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, dhe nuk duket se protestat do të ndalen shumë shpejt”, shkroi Sveçla në Facebook, përcjell portali rtv21.tv

“I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit. Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë”, vijoj Sveçla.

Më tej ai ka thotë se është e çuditshme që protesta e sotme në Prishtinë, që sipas tij vjen si rezultat i keqinterpretimeve, organizohet në të njëjtën ditë sikur në Beograd.

Veteranët e UÇK-së do të mbajnë protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë të shtunën nga ora 18:00./21Media


NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button