Kaloni te përmbajtja kryesore

Hamza: PDK do t’i votojë marrëveshjet financiare ndërkombëtare

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se do t’i votojnë marrëveshjet financiare ndërkombëtare, porse ka thënë se ky qëndrim nuk ka të bëjë me takimin ndërmjet kryeministrit Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.

Në një konferencë për media, Hamza tha se këtë qëndrim e ka shprehur që nga data 4 prill në një studio televizive, për çka shtoi se votimi i marrëveshjeve financiare ndërkombëtare është dakordim mes gjithë grupit parlamentar të kësaj partie.

Hamza tha se duke marrë parasysh se Kosova vazhdon të jetë nën masa dhe sanksione të Bashkimit Evropian e vlerëson si të duhur vendimin për votimin e këtyre marrëveshjeve.

“Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Për neve, për mua si kandidat për kryeministër, prioritetet janë të qarta, fillimisht interesi i vendit, pastaj i partisë politike dhe në fund i si individ brenda partisë politike, por mbi të gjitha interesi i qytetarëve të vendit…Ju e dini që Kosova është nën masa, nën sanksione, janë qindra miliona euro të bllokuara, si rezultat i mosharmonizimit, mos koordinimit, mos bashkëpunimit me faktorët relevantë ndërkombëtarë. Përtej aspektit financiar, këtu kemi të bëjmë me dëmtim të reputacionit të vendit. Përveç këtyre milionave që janë të bllokuara si rezultat i këtyre masave ka edhe qindra miliona të tjerë të ratifikuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat nuk janë të disbursuara, nuk janë të shpenzuara, si rezultat i pa aftësisë për t’i kryer dhe ekzekutuar projekte në dobi dhe interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Hamza.

Bedri Hamza tha se situata ekonomikë dhe standardi i jetesës së qytetarëve të Kosovës është i rënduar dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Ky qëndrim i PDK-së është si rezultat i kandidaturës time për kryeministër…Data 4 prill është shumë më herët, është publike që unë kam deklaruar që qëndrimi është që PDK duhet t’i votojë marrëveshjet financiare ndërkombëtare. Atëherë e kam dhënë mendimin tim personal, sot jam këtu si kandidat për kryeministër por edhe ta prezantojë qëndrimin e Kryesisë në Grupin Parlamentar të PDK-së. Nuk janë çështje që lidhen fare…Ne e kemi bërë publike moti që vendi ka nevojë të shkojë në zgjedhje, situata ekonomike nuk është e mirë, standardi i jetesës së qytetarëve nuk është i duhur, mirëpo ne veçse jemi në proces zgjedhor, fundi, fundi, po flasim dallimin vetëm nëse është e përshtatshme këtë stinë, këtë muaj apo kur është më e përshtatshme, përndryshe, mendoj se nuk janë zgjedhje të parakohshme janë zgjedhje në mandat të rregullt”, deklaroi Hamza.

Hamza i pyetur nëse nëse gjatë takimit Kurti-Krasniqi ishte arritur marrëveshje që Hamza të jetë kandidat për kryeministër dhe që të ketë koalicion të mundshëm mes VV-së dhe PDK-së, tha se nuk bëhet fjalë për koalicion.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë koalicioni, nuk jemi duke folur për koalicione, ne jemi në garë, të punojmë fort t’i bindim qytetarët me program me ekip, e listë me gjithçka çka kërkon fushata…Për të shkuar në zgjedhje janë tri opsione, dorëheqja, mocioni i mosbesimit dhe shpërndarja e kuvendit. E para po e dijmë që nuk po ndodhë, e dyta është e qartë se opozita nuk i ka numrat dhe e treta mbetet opsioni më real. Tani a do të ndodhë apo jo, ne mund të flasim në mënyrë hipotetike, por nuk mund të flasim me saktësi”, tha Hamza.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti para dy ditësh ka takuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi me të cilin kanë diskutuar edhe mundësinë për zgjedhje të parakohshme. Kurti ka takuar edhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa dhe Donika Gërvallën nga iniciativa Guxo, por ftesën për takim e kanë refuzuar nga LDK dhe AAK. Kurti po kërkon që në zgjedhje të shkohet duke e shpërbërë Kuvendin, me të cilët janë të pajtimit edhe në PDK, por LDK dhe AAK po kërkojnë që së pari Kurti të jap dorëheqje dhe pastaj të shpërbëhet Kuvendi.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button