​Hamza për zgjedhjet e parakohshme: Presim që të mbahen shpejt

(Lajm i përditësuar)


​Hamza për zgjedhjet e parakohshme: Presim që të mbahen shpejt

Kryetari i sapo zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, duke iu kundërpërgjigjur kritikave të Enver Hoxhajt, ka thënë se gara për të parin e partisë ka qenë demokratike dhe e hapur.

Hamza po ashtu ka deklaruar se menjëherë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit kur ishte takuar me liderë partiake si dhe me Albin Kurtin në komunën e Mitrovicës, e kishte pasur të qartë se vendi do të shkojë sërish në zgjedhje.

Ai tha se partia parë, në këtë rast Vetëvendosje, nuk i ka bërë veprimet e nevojshme, marrëveshjet nevojshme politike, që vendit me i dhënë institucionet dhe mos me prodhuar vakum institucional çfarë është krijuar vakum për krijimin e institucioneve.

“Sa i përket takimeve me liderë, dhe Kurtin në rrethana dhe për tema të caktuara dhe atëherë për mua ka qenë e goxha e qartë që do të jetë vështirë, që të ketë adresim të kësaj situate pa shkuara edhe një herë në zgjedhje, sepse partia fituese nuk i ka bërë veprimet e nevojshme, marrëveshjet nevojshme politike, që vendi me i dhënë institucione dhe mos me prodhuar vakum institucional çfarë është krijuar, prolongim ose shtyre të krijimit të institucioneve”, tha Hamza.

Në konferencën për media pas zgjedhjes si kryetar ai tha se konventa është thirrur sipas statutit të partisë.

Kurse sa i përket deklarimeve të Hoxhajt se gara ka qenë e pabarabartë për shkak të ish-kryetarit Krasniqi, Hamza tha se Krasniqi ka pasur të drejtë të shprehë preferencat e tij pasi ai ka vetëm një votë në mesin e 400 delegatëve.

“Nuk ka garë më demokratike sesa kjo sot. Gara ka qenë e hapur. Statuti dhe rregulloret janë këto dhe duhet t’i respektojmë të gjithë… gara e hapur dhe koha ka qenë e njëjtë si për mua dhe për të gjithë të tjerët që kanë dashur të hyjnë në garë. Unë e kam mik zotëri Hoxhajn dhe se 22 vjet jemi bashkë në PDK. Sigurisht është një personalitet që ka shumë kontribute dhe pres që bashkë do ta bëjmë më të mirën brenda PDK-së. Demokracia është kjo, se ka mendime të ndryshme… konventa është organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Gara ka qenë e hapur dhe kur unë kam mundur me garu ka mundur edhe çdo kandidat tjetër. Normalisht se njerëzit kanë preferenca dhe kanë drejtë t’i shprehin preferencat, por këtu s’ka votuar vetëm një delegat por mbi 400 delegatë”, tha ai.

Hamza ka folur edhe për Ramiz Lladrovcin, duke thënë se të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në PDK duhet të kthehen në parti.

Hamza shtoi se janë të hapur të bisedojnë për të gjitha çështjet me Lladrovcin.

“Ne jemi të hapur me biseduar të gjitha çështjet. Ne kemi interes që të gjithë ata që kanë qenë në çfarëdo faze të PDK të kthehen në parti dhe të vazhdojmë. Hatërmbetjet në momente të caktuara gjithmonë ka rrugë dhe mundësi për t’i kaluar”, tha ai.

Hamza për zgjedhjet e reja tha se PDK është më e përgatitur se kurdoherë më parë.

“Ne jemi të përgatitur dhe pres që zgjedhjet të mbahen shpejt. Sigurisht këto ditë pritet të shpallet data e zgjedhjeve. Ne si PDK jemi mirë të organizuar dhe kemi një ekip të mirë dhe jemi duke bërë gati programin dhe të gjitha përgatitjet e nevojshme janë duke u bërë për listë reprezentative dhe pres që të arrijmë rezultate të mira”, deklaroi Hamza.

Për bashkëpunimin e mundshëm me LVV, Hamza u shpreh se s’ka vija të kuqe.

“Unë asnjëherë s’kam vendosur vija të kuqe për asnjë subjekt politik. Natyrisht se bashkëpunojmë me të gjitha partitë politike me dobi dhe interes të vendit. Gjithmonë brenda rregullave dhe marrëveshjes politike”, përfundoi Hamza.

Hamza mori votat e shumicës të delegatëve, derisa nuk kishte asnjë votë kundër.

 


Bedri Hamza kryetari i ri i PDK-së

Bedri Hamza është zgjedhur kryetari i ri i PDK-së. Ai i ka falënderuar delegatët dhe bashkëpartiakët e tij për besimin, mbështetjen dhe drejtimin e ri që i dhanë PDK-së.

“Sot më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm dhe një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë. Falë punës, sakrificës dhe besimit tuaj, PDK-ja vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kosova tani ka nevojë për PDK-në e bashkuar dhe me vizion të qartë.

“Si kryetar i ri, premtoj se do ta hapim partinë tonë për secilin qytetar që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore. Do të përfshijmë më shumë të rinj në vendimmarrje dhe aktivitete. Do ta ndërtojmë frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë që Kosovës i duhet. Ne do të ecim vetëm përpara, me përgjegjësi, me maturi dhe me zotimet që do t’i mbajmë deri në fund. Rruga përpara kërkon guxim e vendosmëri. Dhe ne e kemi!”, ka deklaruar Hamza.

Ai i ka falënderuar anëtarësinë dhe strukturat e PDK-së për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për Kosovën.

“Do t’i jap familjes sime politike gjithçka që mundem, ashtu siç ajo më dha gjithçka mua. Vazhdojmë së bashku, pa u ndalur, drejt fitoreve të reja. Faleminderit delegatë. Faleminderit PDK”, ka përfunduar Hamza.

Hamza ishte i vetmi kandidat për kryetar të PDK-së.

Zgjedhja e Bedri Hamzës si Kryetar i PDK-së vjen pas dorëheqjes së Memli Krasniqit të enjten e javës së kaluar.

“Sot, pas shumë kohe reflektimi, ka ardhur momenti i duhur, prandaj sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë. Ky vendim nuk është as i momentit dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimet e fundit. Është reflektim i gjatë i imi mbi atë se çfarë i duhet më shumë partisë në fazën e ardhshme”, kishte thënë Memli Krasniqi të enjten në një konferencë për media.


Hamza: PDK-ja është ndërtuar mbi sakrificë, jo mbi interesa personale

Bedri Hamza është i vetmi që ka shpallur kandidaturën për Kryetar të PDK-së.

Ai fjalimin e tij e ka filluar duke i falënderuar aktivistët dhe anëtarësinë e PDK-së për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira.

“Sot është njëra prej ditëve kur shpirti i PDK-së flet më shumë se çdo fjalë dhe unë para jush ndjej peshën e madhe, peshën e përgjegjësisë ndaj sakrificës suaj. Në këtë ditë të rëndësishme le t’i nderojmë liderët tanë historik të cilët me vizionin, guximin, sakrificën, e bënë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, u ka thënë Hamza, strukturave dhe delegatëve të PDK-së.

Ai për PDK-në tha se si parti i kanë mbijetuar çdo goditjeje për një arsye të madhe.

“Sepse, PDK është ndërtuar mbi sakrificë kombëtare dhe jo mbi interesa personale. Sepse, PDK ka lindur në përballje, në qëndresë, në sakrificë. Sepse, në ADN-në e saj ka gjurmët e lirisë, ka idealin e rezistencës dhe ka frymën e UÇK-së”, ka thënë Hamza./21Media


Me shumicë votash miratohet dorëheqja e Memli Krasniqit

Është miratuar dorëheqja e kryetarit të deritanishëm të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Kjo është bërë me shumicë votash, në konventën e kësaj partie.

Memli Krasniqi, në hapje të Konventës së partisë ku pritet të zgjidhet drejtuesi i ri, deklaroi se momente të tilla tregojnë se udhëheqja është një rrugë e jashtëzakonshme, sidomos kur përfundon aty ku ka filluar.

Ai kujtoi se delegatët i kishin besuar drejtimin e PDK-së në një nga periudhat më sfiduese të saj.


Memli Krasniqi dorëzon mandatin, bën thirrje për unitet dhe energji të re

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur Konventën për zgjedhjen e kryetarit të ri, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.

Në hyrje të Konventës Memli Krasniqi, pas 4 viteve e 4 muajve në krye të PDK-së ka falënderuar delegatët e Konventës që ia dhanë besimin në një prej periudhave më sfiduese në historinë e partisë.

Duke shtuar se PDK ka nevojë që kryetari i saj të jetë edhe kandidati për kryeministër.

“Pas gati 1600 ditësh shërbimi si udhëheqës i juaji, besoj se PDK ka nevojë për një momentum të ri, për një kapitull të ri, teksa përgatitet për zgjedhjet nacionale të radhës. Nuk po largohem prej lodhjes. Nuk po largohem prej zhgënjimit. Përkundrazi! Po e bëj këtë hap, sepse besoj thellë se: PDK ka nevojë për energji të re. PDK ka nevojë për një moment të ri unifikimi. PDK ka nevojë që Kryetari i saj të jetë edhe kandidati për Kryeministër. Po e bëj këtë nga përgjegjësia, jo sepse shtëpia jonë është e thyer, por sepse është mjaftueshëm e fortë për t’u ngritur në lartësi të reja. Po dorëhiqem duke e ditur se PDK-në po e lë më të fortë se sa që e gjeta kur më zgjodhët që t’ju prij. Ndoshta nuk është shumë, por ju siguroj se nuk kam kursyer as atomin e fundit të angazhimit dhe të dijes time për Partinë Demokratike të Kosovës. Sepse, ju e dini: Për më shumë se 20 vjet, PDK është shtëpia ime politike. Vendi ku u rrita, ku u testova, ku mësova, ku shërbeva dhe ku fitova. Vendi ku pata nderin historik të jem një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Vërtetë, ka qenë dhe është nderi më i madh i jetës sime që të udhëheq këtë parti. Partinë e krenarisë sonë kombëtare. Partinë që ka shkruar faqet më të ndritura të historisë së Kosovës. Partinë që e kanë udhëhequr dy burra që kanë shkruar epokën më të lavdishme të vendit tonë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Prej tyre kam mësuar shumë, por mbi te gjitha faktin se lidershipi nuk është privilegj. Është përgjegjësi”, tha Krasniqi.

Krasniqi ndër të tjera tha se kushdo që të zgjidhet kryetar i ri sot do ta ketë mbështetjen e tij të plotë, duke bërë thirrje për bashkim dhe unitet, sepse PDK e bashkuar është PDK e pandalshme.

“Për Kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Kosovës, megjithatë, kam një mesazh të shkurtër për fund: Çdo udhëheqës është vetëm një rojtar i përkohshëm i një rruge të gjatë. Sot, kur unë po e liroj vendin, dua ta marrësh me vete këtë mendim të lashtë, që dikur poetët e veriut e thoshin për ata që bartnin stafetën: “Rruga nuk i përket udhëheqësit – udhëheqësi i përket rrugës”. Do të vijnë ditë të lehta, por edhe ditë të rënda. Do të ketë duartrokitje, por edhe heshtje e kritika. Por, për sa kohë ecën me qëllim të mirë, me zemër të pastër dhe me punë të sinqertë, rruga vetë do të të udhëheqë”, deklaroi ai.


​Bedri Hamza pritet të jetë kandidati i vetëm për kryetar të PDK-së

Para delegatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, në Konventën e Përgjithshme pritet të paraqitet vetëm kandidatura për kryetar e Bedri Hamzës. Deri tani para nisjes së konventës zyrtarë të PDK-së, thonë se nuk ka kandidatur tjetër për kryetar.

Nënkryetari i PDK-së, njëherësh kryetar i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se momentalisht ka vetëm një kandidatur për kryetar të PDK-së, derisa theksoi se zgjidhja më e mirë për PDK-në, është zgjedhja e Bedri Hamzës për kryetar.

“Nuk mendoj se ka pasur nevojë të shtyhet Konventa, meqenëse kemi veç një kandidat mendoj se ai do të zgjidhet dhe është zgjidhja e duhur….Me sa unë jam i njoftuar nuk është dikush që ka aplikuar përveç Bedri Hamzës”, tha ai.

Në anën tjetër, ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se rregullat janë strikte që brenda Konventës së PDK-së të paraqitet kandidatura e Enver Hoxhajt, teksa shtoi se i njëjti nuk ia ka kërkuar nënshkrimin atij për ta shpallur kandidaturën për kryetar.

“Është krejtësisht normale në demokraci me pas shumë pretendime me u bo kryetar të partisë. Rregullat janë strikte dhe duhet me u zbatuar dhe tani të shohim si po zhvillohet mbledhja…Janë ca rregulla që ia pamundësojnë dikujt me hy sipas statutit. Duhet me i pas nënshkrimet e delegatëve dhe me paraqitë kandidaturën pesë ditë përpara. Nuk e di mua jo”, tha ai. /kp


PDK sot do të mbajë Konventën e Përgjithshme për të zgjedhur Kryetarin e ri

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) sot në ora 17:00 do të mbajë Konventën e Përgjithshme për të zgjedhur Kryetarin e ri.

Zgjedhja e kryetarit të ri vjen pasi, Memli Krasnqi me 12 nëntor ka dhënë dorëheqje nga ky post.

Kandidaturën për ta marrë drejtimin e PDK-së e ka shpallur zyrtarisht Bedri Hamza.

Derisa dhe anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),  është shprehur i gatshëm të garojë për t’u bërë lider i PDK-së por ai ka kërkuar shtyrje të konventës pr një javë.

Një kërkesë e tillë zyrtarisht nuk është aprovuar nga partia./21Media

Back to top button