Hapet qendra për testim falas për HIV/AIDS në sheshin “Zahir Pajaziti”
Në kuadër të Ditës botërore të luftës kundër sëmundjes së HIV/AIDS, Drejtoria e Shëndetësisë e Prishtinës ka hapur Qendrën Mobile për testim në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku tha se ngjarjet e fundit në botë kanë ndikuar në qasjen ndaj HIV/AIDS, derisa ndër vite po vazhdon rritja e numrit të të infektuarve me këtë sëmundje.
Ai tha se janë të vetëdijshëm që fillimisht nuk do të ketë interesim të lartë nga qytetarët për testim, por sipas tij qëllimi është të promovohet si aktivitet.
“Ne jemi në dijeni që parandalimi i HIV/AIDS është një prej armëve kryesore që e kemi sot në botë. Jemi të vetëdijshëm jo vetëm ne, por edhe bota që pandemia COVID-19 dhe ngjarjet tjera në botë, ka ndikuar në qasjen ndaj HIV/AIDS, dhe sot parashikimi që ka qenë para disa viteve nuk janë përmbushur edhe në botë. Realisht ka ngecje dhe në vitin 2021 kemi pas 1.5 milionë të rinj të infektuar me HIV, ndërsa projeksionet kanë qenë një milion më pak, gjë që tregon se po vazhdon rritja e numrit gjatë këtyre viteve, për shkak të mos qasjes drejt. Motoja këtë vit është barazi me qëllim të krijojmë sa më shumë barazi për qasjen në këto shërbime. Ne jemi të vetëdijshëm që qendra që është hapur sot në Prishtinë nuk do të jetë qendër që do të ketë shumë të interesuar, por qëllimi është të promovohet si aktivitet. Testi bëhet komplet në kushte të anonimitetit dhe konfidenciale”, tha Sadiku.
Izeti tha se brenda javës do t’i kthejnë shërbimet në Ambulancën e Mjekësisë Familjare në Qendrën e Studentëve, të cilat nuk kanë funksionuar që para pandemisë dhe po bëjnë përgatitje me organizata të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë që ta hapin një qendër për qëllim dhe testim për HIV/AIDS në qendrën e studentëve, pasi sipas tij duke shumica e pacientëve që e vizitojnë këtë ambulancë janë të rinj.
Arbër Nuhiu, drejtor ekzekutiv në organizatën Csgd, tha se përveç testit të HIV-it, falas janë edhe disa teste tjera të infeksionit seksualisht të transmetueshëm.
“Sot përveç testit të HIV-it, në të cilën të gjitha testet janë falas, janë edhe tri teste tjera të infeksion seksualisht transmetuese”, tha Nuhiu.
Safet Blakaj, drejtor ekzekutiv në qendrën Labyrinth tha se kanë tendencë që ta hapin një qendër të vazhdueshme dhe jo të përkohshme. Derisa tha se janë të fokusuar te përdoruesit e drogave intravenozë, të cilat janë të rrezikuar nga këto infeksion, posaçërisht te hepatiti C.
“Na vjen mirë që Komuna e Prishtinës e përkrah këtë aktivitet. Tendenca është që të hapet një qendër e vazhdueshme, pavarësisht se këtë javë do të jenë këtu me njësinë mobile. Sa i përket kësaj ne jemi të fokusuar tek përdoruesit e drogave intravenoz të cilat janë të rrezikuar nga këto infeksion, posaçërisht te hepatiti C”, tha Blakaj.
Fushata është realizuar nga organizatat Csgd dhe Labyrinth me përkrahje të Komunës, e cila do të jetë e hapur deri më datën 7 dhjetor në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.