Haradinaj: BE-ja t’ia dorëzojë Bidenit portofolion për marrëveshje finale në dialog

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me takimin e djeshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Haradinaj ka thënë se është koha që Bashkimi Evropian çështjen e arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke Kosovë- Serbi ta dorëzojë te Amerika.
“Duke i shprehur mirënjohje Bashkimit Evropian për lehtësimin e dialogut, është momenti i duhur që BE ta dorëzojë portfolion te Presidenti Biden, për marrëveshjen finale për njohje reciproke Kosovë – Serbi.”, ka shkruar Haradinaj.
Ai paraprakisht ka thënë se Zbatimi i rendit dhe ligjit në tërë vendin, duhet të ndodh në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
“Dialogu i deritashëm nuk guxon të zbehet e të rikthehemi prapë të flasim për të njëjtat tema. Amerika kësaj here i dha shtytje procesit të udhëhequr nga BE dhe ndihmoi dhe e riktheu normalitetin në raportet Kosovë-Serbi.”, ka shkruar Ramush Haradinaj.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka deklaruar dje se takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut në Bruksel, nuk ishte takim i rregullt. Borrell ka theksuar se ka dallime të mirënjohura mes Kurtit dhe Vuçiq, në këndvështrimin për statusin përfundimtar, por janë pajtuar të vazhdojnë diskutimet në baza të rregullta për të shkuar më shpejt drejt normalizimit. Diskutimet, sipas tij, do të rrifillojnë në ditët në vijim./21Media

Back to top button