Haradinaj: Do t’ju ofrojmë bashkëpunim PDK-së, LDK-së e partive të tjera por s’do t’i presim

Koalicioni AAK-NISMA është shprehur i hapur për zgjerim edhe me partitë e tjera përfshirë PDK-në e LDK-së. Por deputetë të PDK-së bënë të ditur se PDK-ja nuk do t’i bashkohet këtij koalicioni. Për partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje ndërkaq, koalicionet parazgjedhore opozitare, nuk përbëjnë ndonjë lajm e as ngjarje politike duke u shprehur e bindur në fitore të sërishme.

Pas formimit të koalicionit AAK-NISMA, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se do t’i ofrojnë bashkëpunim edhe PDK-së e LDK-së dhe jo vetëm këyre partive, por theksoi se nuk do t’i presin.

I pyetur nga RTV21, nëse beson se mund të ketë sërish një koalicion PAN, Haradinaj tha se nuk e di për një gjë të tillë.

“Në të ardhmen besoj se edhe partitë e tjera nuk po flasim vetëm pdkja e ldk-ja por edhe të tjerat do t’ju ofrojmë bashkëpunim por nuk do t’i presim po punojmë por jemi të hapur. Nuk e di për këtë kohërat kanë ndryshuar, rrethanat politike janë tjera tani, por marrëveshja jonë me Nismën është e ndërruar si e tillë që të jetë e hapur nuk është marrëveshje e mbyllur kushdo që i bashkohet këtij koalicioni mos ta ndiejnë vetën si i ardhur por si në shtëpinë e vetë”, tha Haradinaj.

Por gjasat që partia më e madhe opozitare PDK-ja t’i bashkohet koalicionit AAK-NISMA, i hodhi poshtë deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.

“Unë besoj se nuk do t’i bashkangjitemi këtij koalicioni sepse nuk ka filluar nga shumica por nga pakica. Ideja është e mirë e qëlluar për t’u bashkuar opozita por ne kemi dy parti të mëdha në kuvend PDK-në dhe LDK-në të cilat nëse do të dëshironim të kemi një koalicion të fuqishëm për t’ju kundërvënë qeverisë dhe për ta sjell në votëbesim çështjen e qeverisë atëherë do të duhej që dy partitë e mëdha të marrin iniciativë, partitë e komuniteteve dhe ndoshta edhe disa deputetë të VV-së që të rrëzohet qeveria por unë nuk pres ndonjë ndryshim me deklarimet publike as të Haradinajt as Limajt që PDK- ja të ju thotë mirë faleminderit që po na pranoni”, tha Haliti për RTV21.

Duke komentuar formimin e koalicionit AAK-NISMA, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se koalicionet e tilla nuk përbëjnë lajm për partinë në pushtet. Ai shprehet i bindur se Vetëvendosje edhe ne zgjedhjet e ardhshme do të dalë fituese.

“Është çështje e tyre e brendshme partiake s’është befasi ka pasur edhe me të kaluaren koalicione, janë përpjekje në njërën anën për garën për vendin e dytë ndërkohë edhe për pragun parlamentar por që nuk përbënë as lajm as. Ata e dinë fare mirë që mbështetja popullore për-VV-në dhe qeverinë aktuale është e jashtëzakonshme është më e lartë se ne zhgjedhjet e kaluara”, tha Rrustemi.

Optimizmit të Vetëvendosjes për fitore iu kundërpërgjigj kryetari i AAK-së Haradinaj.

“Ata kanë fituar një vetëbesim se iu ka funksionuar mashtrimi kanë të drejtë me u ndje arrogant sepse mashtrimi i tyre ka funksionuar..Ky vetëbesim e tyre buron nga arroganca se qytetari i toleron i duron ia pranon mashtrimin por mundet me qenë ndryshe qytetari ashtu si ia ka dhënë rastin mundet me ia marrë ka me i ndëshku qytetari jam mëse i sigurt”, tha Haradinaj

Partitë opozitare edhe në këtë fillimvit kanë paraqitur hapur kërkesën e tyre për zgjedhje të reja, duke kritikuar qeverisjen e kryeministri Kurti. Edhe në partinë në pushtet janë shprehur të gatshëm për zgjedhje kurdo që ato paraqiten qofshin ato të rregullta, qofshin të parakohshme./21Media

Back to top button