Haradinaj falënderon ushtarët dhe policët

Haradinaj vizitoi Policinë e Kosovës dhe FSK-në

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e përfundoi ciklin e vizitave të sotme, duke vizituar edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe vendqëndrimin e rojeve kujdestare.
Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar edhe nga ministri i FSK-së, Rrustem Berisha si dhe gjenerali Rrahman Rama, tha se kjo vizitë për të është shumë domethënëse.

“Jam sot këtu për t’i takuar ushtarët e Kosovës, ata që bëjnë roje sonte. Më vjen mirë për pritjen që ma bënë gjenerali Rama dhe Ministri Berisha, pra e ndjejë situatën nëpër të cilën kalon secili ushtar dhe ushtare sot, në këtë të ftohtë në të gjitha qendrat”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Dhe për këtë, kryeministri Haradinaj tha se shpreh falënderimin për shërbimin e tyre që të jenë në gjendje gatishmërie e nevoje për t’iu përgjigjur kërkesave tjera nëse ka nevojë.
Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, e falënderoi kryeministrin për vizitën në Ministri dhe vendqëndrimin e rojeve kujdestare si dhe për mbështetjen në vazhdimësi, duke thënë se në fund të këti viti u hap një kapitull i ri për FSK-në dhe se viti që vjen është mjaft sfidues.

Gjenerali i FSK-së, Rrahman Rama, tha se është nder dhe privilegj vizita e sotme e kryeministrit Haradinaj dhe se urimi për këta ushtarë e ushtare që shërbejnë sot është i veçantë.

Po ashtu Kryeministri Haradinaj, paraprakisht ka vizituar sot edhe Policinë e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, tha se qëllimi i kësaj vizite është shprehja e mirënjohjes për punën që ata e bëjnë në gjithë vendin, në kushte jo aq të mirëfillta të punës.

“Posaçërisht një falënderim të veçantë për ta, sepse sonte kur ne festojmë në shtëpitë tona, mijëra policë duhet të jenë në punë. Ata punojnë që ne të festojmë të qetë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha po ashtu se ka marrë një premtim se do të ketë një mobilizim të nevojshëm dhe garanci se do të festojmë të qetë, duke bërë apel tek qytetarët që të bëjnë kujdes me mjetet piroteknike dhe të mos gjuajnë me armë zjarri dhe po ashtu që qytetarët të mos vozisin nën ndikimin e alkoolit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, falënderoi kryeministrin Hardinaj për vizitën por edhe përkrahjen, dhe tha se do të bëjnë gjithçka që është e mundur në këtë natë të gëzimeve, me forca shtesë, që do të jenë përgjegjëse në ofrimin e sigurisë./21Media

Back to top button