Haradinaj i bën thirrje Kurtit që të shqyrtojë edhe një herë çështjen e gazsjellësit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pas deklaratës së përbashkët të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqia për çështjen e bashkëpunimit në shumë fusha, përfshirë atë të energjetikës. Ndër të tjera është përmendur edhe integrimi euroatlantik i rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj i ka bërë thirrje dhe një herë Qeverisë Kurti që të shqyrtojë edhe një herë çështjen e gazsjellësit, meqë kreu i AAK-së thotë se nuk është vetëm çështje gypash.
Ai thotë se ata që e shohin vetëm në këtë aspekt janë “shkurtpamës dhe sabotues të orientimeve perëndimor të Kosovës”.
“E vlerësoj lart qëndrimin e përbashkët të qeverive të SHBA dhe Greqisë për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, ku në mënyrë të veçantë specifikohet edhe Kosova, apo edhe gazsjellësi amerikan, e që është i një rëndësie të jetike për ne si shtet i ri”, ka shkruar Haradinaj.
“Kjo na obligon që t’i kryejmë detyrat tona që rrugën e integrimit ta bëjmë sa më të lehtë e sa më të shkurtër. Kjo nënkupton poashtu që Kosova të mbështes të gjitha projektet që e afrojnë Kosovën sa më afër BE-së e NATO-s, duke përfshirë këtu edhe gazsjellësin amerikan, projekt ky i një rëndësie strategjike dhe ekonomike, që do të garantonte edhe sigurinë energjetike të vendit tonë. Justifikimet banale të qeverisë së Kosovës për refuzimin e këtij projekti, se kjo është “çështje e disa gypave”, janë jo vetëm shkurtpamëse, por edhe sabotim i orientimeve properëndimore e euroatlantike të Kosovës”, ka vazhduar tutje.
“Prandaj i bëj thirrje edhe një herë qeverisë së vendit tim që të kthjellohet e të mos vendosë pengesa në rrugën e pakthim euroatlantike të Kosovës!”, ka përfunduar Haradinaj.
Në rast se do të vendosej ndërtimi i një termocentrali për prodhimin e energjisë nga gazi, atëherë sipas Qeverisë së Kosovës, prodhimi i një megavati të energjisë elektrike do të kushte 40 euro e që i bije rreth 30 për qind më shtrenjtë sesa çmimi aktual. Korporata Energjetike e Kosovës për momentin e prodhon një megavat me një çmim rreth 30 euro.
Qeveria e Kosovës tha se pas takimit me disa prej investitorëve, shumë prej tyre nuk ishin të interesuar që të investonin më në këtë projekt, e të tjerë kishin vendosur kushte të pafavorshme për Kosovën./21Media

Back to top button