Boksierëve nga Kosova iu ndalohet hyrja në Serbi
Ekipi i Kosovës i përbërë nga tre boksierë, Patrit Behrami, Shpëtim e Bashkim Bajoku, përzgjedhësi Besim Brahimi dhe sekretari i përgjithshëm, Latif Demoll janë ndaluar në kufirin Kosovë-Serbi.
Arsyeja e ndaljes është që autoritetet serbe nuk po lejojnë hyrjen e sportistëve nga Kosova me simbolet e tyre.
Në lidhje me këtë e ka bërë një reagim Komuniteti Olimpik i Kosovës i cili e ka quajtur skandal një gjë të tillë.
”Komiteti Olimpik i Kosovës me shqetësim të madh ka pritur lajmin se ekspedita e boksit të Kosovës nuk është lejuar të hyjë në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që prej 24 tetor deri më 6 nëntor 2021 mbahet në Beograd të Serbisë. Ekspedita e boksit ishte nisur në orët e hershme të mëngjesit, për të kaluar përmes kufirit në Konçul, por përkundër pritjeve shumëorëshe, policia serbe nuk ka lejuar hyrjen e tyre, gjë që ka bërë që ekspedita e boksit të kthehet për në Prishtinë’, thuhet në njoftim.
Ndërkaq sipas tyre, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje emergjente dhe ekipi i boksit të Kosovës të niset sërish drejt Beogradit për të garuar i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse në botëror.
”KOK, po ashtu ka kontaktuar me drejtuesit e AIBA-s (Federata Botërore e Boksit), nga të cilët ka marrë premtimin se do të marrin masa të menjëhershme për t’iu mundësuar boksierëve tanë hyrjen në Serbi dhe pjesëmarrjen me të drejta të barabarta, ashtu siç kanë premtuar pas kontakteve të vazhdueshme me Federatën e Boksit të Kosovës, me të cilët drejtuesit e KOK-ut janë po ashtu në kontakt të vazhdueshëm”, thuhet tutje në njoftim./21Media