​Haradinaj: Incidentet në veri tregues se mund të ketë skenar të pengimit të zgjedhjeve

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, “me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë”.

Tutje, Haradinaj ka thënë se refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Haradinaj ka theksuar se Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.

“Presidenti i Serbisë të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme. Njëkohësisht, kërkoj nga BE dhe ShBA që të shfrytëzojnë gjithë mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të sponsorizuar prej tyre, si bazë e fortë e rivendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Kosovës. Në të kundërtën angazhimi i jashtëzakonshëm i të gjitha palëve për këtë marrëveshje, do të mbetej përpjekje pa rezultat. Nëse marrëveshja nuk reflekton me një normalitet në terren, efektet e saj do të jenë të papërfillshme. Paqja në Kosovë është e paalternativë dhe inkurajoj të gjitha palët që të jenë të pakompromis në vendosmërinë e tyre për të mënjanuar të gjithë ata që e rrezikojnë edhe marrëveshjen edhe sigurinë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e para të së premtes janë djegur tri vetura me targa RKS – Republika e Kosovës – të cilat u përkasin banorëve të nacionalitetit serb në veri. Sipas Policisë, një veturë është djegur në Zveçan dhe dy të tjera në Mitrovicë të Veriut. Dy vetura tjera me targa RKS, në pronësi të serbëve lokalë janë djegur edhe më 30 mars./21Media

Back to top button