Haradinaj iu kundërpërgjigjet kërcënimeve të Serbisë për ushtrinë

“Ushtrinë nuk e kemi për veri, është rrenë e kulluar”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj iu është kundërpërgjigjur kërcënimeve nga Serbia rreth formimit të ushtrisë të Kosovës. I pyetur në lidhje me kërcënimet që po vijnë nga ana e Serbisë për luftë, ai u shpreh i bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Ushtrinë nuk e kemi për veri, është rrenë e kulluar. Ushtrinë e kemi për Afganistan dhe Irak për t’iu ndihmuar shteteve”, tha Haradinaj.

Kreu i qeverisë së vendit tonë diskutoi në lidhje me rezolutën e PSD-së dhe qëndrimin e presidentit Hashim Thaçi. Sipas tij, formimi i delegacionit shtetëror në bisedimet me Serbinë është i nevojshëm.

Sa i përket liberalizimit të vizave, ai tha se qeveria është fajtore që punët e veta i ka përfunduar, por nuk po mund t’i kryejë edhe të BE-së. Ndërsa, sa i përket taksës kundër mallrave serbe, Haradinaj tha se deri në 175 mallra serbe hyjnë pa asnjë taksë, ndërsa ka përjashtime për dërgesat humanitare. Këto deklarata, Haradinaj i bëri në fshatin Plemetin, ku kanë nisur punimet në shtrimin e rrugës “Sitnica”.

Ndërkohë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq me rastin e shpalljes së formimit të Ushtrisë së Kosovës, deklaroi se shpreson që Serbia nuk do të përdorë ushtrinë e saj dhe shtoi se kjo është një nga opsionet e saj.

“Unë shpresoj se kurrë nuk do të duhet të përdorim ushtrinë tonë, por për momentin është një nga opsionet në tryezë, sepse nuk mund të shikojmë spastrime të reja etnike dhe stuhi të reja, megjithëse Edi Rama u bën thirrje atyre”, tha Brnabiq për gazetarët në Qeverinë e Serbisë dhe shtoi se të gjithë krerët evropianë do të pyesin se çfarë do të bënin nëse do të ishin në vendin e saj.

Ndërkaq, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli para pak ditësh vendosi që seanca e Kuvendit të Kosovës për formimin e Ushtrisë të mbahet më 14 dhjetor. Më 3 dhjetor, komisioni për Integrime Evropiane dhe ai i Punëve të Brendshme kanë miratuar tri projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri. Në të dy komisionet, deputetët kanë votuar unanimisht për kalimin e këtyre projektligjeve pa asnjë vërejtje.

Back to top button