Haradinaj: Kam vepruar drejt me dokumentet, njësoj do të bëja përsëri

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se nuk pendohet për veprimet e tij, duke bërë të ditur se në organizatë kishin arritur dokumente nga një person i panjohur për tri herë me radhë.
Gjatë ditës së tretë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara, ai ka deklaruar se krerët e OVL-UÇK nuk kanë publikuar apo shumëzuar dokumente, veçse kanë bërë të ditur ngjarjen e arritjes së tyre dhe se përsëri do të vepronte njësoj.
Nga prokurori, Haradinaj është pyetur nëse është penduar për veprimet e tij lidhur me ngjarjen që lidhet me dokumentet që ishin dorëzuar në organizatë.
“Për atë të cilën unë e pranova dhe jo atë të cilën ti po pretendon, asnjë grimë nuk ndjehem i penduar, sepse e kam bërë me vetëdije timen dhe thellë i bindur se është në dobi të transparencës dhe interesit publik, kështu që e kam kryer vetëm një obligim që unë kam menduar që më është dashur ta kryejë, asnjë gjë më tepër dhe ajo është marrja prej aty dhe qitja deri aty, për deri këtu asnjë gjë nuk pendohem”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se veprimet që lidhen me dokumentet i ka ndërmarrë duke pasur parasysh interesin publik.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës./21Media

Back to top button