Haradinaj kërkon debat parlamentar për sigurinë në vend

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova duhet të qëndrojë fuqishëm në krah me ShBA, BE-në dhe Ukrainën dhe se nuk duhet të bëhemi pre e provokimeve.
Përmes Facebook, Haradinaj ka kërkuar debat parlamentar për sigurinë në vend. Ai u shpreh se agresioni rusë ndaj Ukrainës është një skenar nëpër të cilin ka kaluar Kosova.
“Agresioni Rus ndaj Ukrainës është një skenar nëpër të cilin ka kaluar Kosova gjatë kohës së Millosheviqit. Fatkeqësisht ky agresion vazhdon nga Putini dhe aleatët e tij në shtetet tjera edhe me pozicionin e tij për armët bërthamore. Bota demokratike tashmë e di se agresorët si Millosheviqi dhe Putini janë kundër vlerave tona të përbashkëta dhe të njëjtit i humbin luftërat. Për këto arsye do të kërkoj debat parlamentar rreth situatës së sigurisë në vend. Kjo situatë nuk duhet ta gjejë në gjumë qeverinë aktuale, por e njëjta duhet të angazhohet që këtë situatë ta shfrytëzojë sa më mirë, në dobi të Kosovës dhe qytetarëve”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj shton se me urgjencë duhet të kthehet projekti i gazsjellësit amerikan.
“Me urgjencë duhet të kthehet projekti i gazsjellësit amerikan, të përfundojë Strategjia Nacionale e Sigurisë si dhe të procedohet në Kuvend, ligji për Fondin për Mbrojtje (donacionet për Ushtrinë e Kosovës)“, shton Haradinaj./21Media

Back to top button