Haradinaj kërkon që të ulet çmimi i naftës

Sipas kryeministrit, çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj sot ka bërë thirrje që të ulet çmimi i naftës.

Haradinaj përmes një postimi në facebook është shprehur se dëmtimi i padrejtë financiar i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i patolerueshëm dhe sipas tij, jo po ndodhë nga kompanitë që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë.

Sipas Haradinajt, çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulët aktualisht, derisa në tregun kosovar, operatorët nuk kanë reflektuar.

“U bëj thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë, Shoqatës e Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë praktikë të keqe që dëmton qytetarët tanë. Çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut! Është e kuptueshme që tregu i lirë funksionon i pavarur, por kjo nuk nënkupton, në asnjë formë, dëmtimin e qëllimshëm të buxhetit të familjeve kosovare!”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Aktualisht çmimi i naftës është prej 1 euro e 22 cent, ndërsa për benzinë 1 euro e 27 cent./21Media

Back to top button