Haradinaj: Kosova është aleat në çështjet e sigurisë globale dhe kjo nuk mund të ndryshojë asnjëherë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se siguria e Kosovës dhe rajonit, garantohet vetëm duke qenë të bashkuar me aleatët, posaçërisht me ShBA dhe duke u bërë pjesë e NATO-s.

Haradinaj ka thënë se pavarësisht kush është në krye të qeverisë, Kosova është aleat në çështjet e sigurisë në botë dhe kjo nuk ndryshon.

“E para, Kosova është aleat në çështjet e sigurisë globale dhe kjo nuk mund të ndryshojë asnjëherë, pavarësisht se kush është në krye të qeverisë. Kjo është, jo vetëm përcaktim por edhe orientim i pandryshueshëm i yni”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se deklaratat e fundit të kryeministrit Kurti lidhur me ShBA-të, janë përpjekje dëshpëruese të tij.

“Deklaratat e Kryeministrit se, jo për gjithçka pajtohemi me Shtetet e Bashkuara, janë përpjekje dëshpëruese të tij për të fshehur mospajtimet e tij, pikërisht aty ku nuk duhet, në sferën e sigurisë. Për sigurinë, nuk mund të ketë as dallime e as mospajtime me partnerët! Siguria e Kosovës dhe Rajonit, garantohet vetëm duke qenë të bashkuar me aleatët, posaçërisht me ShBA dhe duke u bërë pjesë e NATO-s”, është shprehur Haradinaj.

Back to top button