Haradinaj: Kosova është shembulli më i mirë i bashkëjetesës ndërfetare
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj për nder të muajit të shenjtë të Ramazanit, ka shtruar iftar për miq dhe bashkëpunëtor nga klubi “Demokracia Konservatore”.
Haradinaj me këtë rast ka thënë se shtetndërtimi i Kosovës duhet të vazhdojë mbi parimin e bashkëjetesës ndërfetare.
“Sot kisha kënaqësinë që për nder të muajit të shenjtë të Ramazanit, në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të bëjmë iftar së bashku me miq nga klubi “Demokracia Konservatore”. Në frymën e solidaritetit, shprehjes së dashamirësisë dhe harmonisë, virtyte që përçon ky muaj i shenjtë, kishim kënaqësinë që në të njëjtën kohë të zhvillojmë një diskutim përmbajtësor për perspektivat tona të përbashkëta.Kosova me mburrje promovon vlera dhe në vazhdimësi ka qenë shembull i tolerancës e bashkëjetesës ndërfetare. Uroj që rruga jonë e shtetndërtimit të vazhdojë të bazohet mbi këto parime”, ka shkruar Haradinaj në Facebook./21Media