Haradinaj: Kosova hyn në vitin e kthesës ekonomike

Haradinaj përshëndet ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës

Pas miratimit të Buxhetit për vitin 2019, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka premtuar se ky vit do të jetë vit i suksesit dhe zhvillimit për Kosovën.

“Me buxhetin më të madh në historinë e saj, Kosova hyn në etapë të re zhvillimore”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

I pari i Qeverisë e ka përshëndetur miratimin në lexim të dytë të Projektligjit për Buxhetin 2019 të Republikës së Kosovës.

Me 2 miliardë e 370 milionë euro, ky është buxheti më i madh dhe siç thotë Haradinaj më zhvillimor i deritanishëm i Kosovës, që do t’i paraprijë rritjes ekonomike prej 4.7 përqind.

“Arsimi me rreth 300 milionë euro dhe shëndetësia me 234 milionë, janë sektorët që përfitojnë më së shumti. Institucionet e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes marrin mbështetje të shtuar financiare prej 6% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar. Më shumë siguri dhe më shumë mbrojtje, edhe për qytetarët por edhe për investimet. Investimet kapitale rriten për 11%, apo 75 milionë në raport me vitin 2018, duke mundësuar realizimin e shumë projekteve ekzistuese dhe të reja, si nxitje e madhe për zhvillim ekonomik dhe për sektorin privat”,. ka shkruar Haradinaj tutje.

Ai gjithashtu shtoi se janë akomoduar mjetet për rritjen e pensioneve bazike 20%, për ato kontributdhënëse 15%, si dhe pensionet mujore prej 230 euro për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Urime Kosovë viti i kthesës ekonomike!”, uroi në fund kreu i ekzekutivit miratimine buxhetit 2019.

Gjithashtu në orët e para të së dielës u miratua edhe Propozim-statuti i Shoqërisë Aksionare “Trepça”.

Haradinaj tha se me votimin e Statutit të “Trepçës” kemi zgjuar gjigantin kosovar.

“Ky është hapi kryesor për t’i dhënë këtij aseti fuqinë për investime dhe gjenerim stabil të të hyrave dhe punësim. Votimi i Statutit me 2/3 e votave të Kuvendit dëshmoi unitet të spektrit politik. Ky statut i jep Trepçës legjitimitetin e nevojshëm për të operuar me të gjitha kapacitetet e saja dhe duke e rikthyer atë në funksion të plotë të ekonomisë së vendit, të shtetit të Kosovës dhe të minatorëve”, tha kryeministri Haradinaj./21Media

Back to top button