Popovci: Me ligjin për paga zgjerohet hendeku mes sektorit publik dhe privat

“Nuk ka vend për mburrje se kush është me meritori për Ligjin e pagave”

Analisti Dukagjin Popovci, ka deklaruar se nuk ka vend për mburrje se kush është më meritori për ligjin e pagave, pasi hendeku në mes sektorit publik dhe atij privat po zgjerohet dhe ende nuk e dihet sa.

Sipas tij, nga ligji për pagat përfitojnë rreth 80,000 punonjës të sektorit publik, ndërsa rreth 270,000 të tjerë që punojnë në sektorin privat mbeten aty ku kanë qenë.

“Në vitin 2012 paga mesatare në sektorin publik ka qenë 407 EUR, ndërsa në sektorin privat 367 EUR. Brenda 5 vitesh, paga mesatare në sektorin publik është rritur për 25% duke arritur në 509 EUR , ndërsa në atë privat vetëm për 4.6%, në 384 EUR. Pra, në vitin 2017, paga mesatare në sektorin publik ka qenë për 1/3 më e madhe se në sektorin privat”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Popovci shtoi se me rritjen e sotme të pagave, hendeku në mes të dy kategorive po zgjerohet.

“A po mendon dikush për këta 270,000 qytetarë që përbëjnë ¾ e të punësuarve në Kosovë? Si do ta përballojnë rritjen e pritshme të çmimeve ata dhe familjet e tyre? Sa vende pune do të mbyllen nëse punëdhënësit privatë vendosin ta përcjellin trendin e rritjes së pagave, duke shtuar kërkesat ndaj punëtorëve që mbeten në punë?”, u shpreh tutje analisti.

Sipas Popovcit nuk ka vend për mburrje se kush është me meritori për Ligjin e pagave. “Sfidat tek po fillojnë”, përfundoi ai.

Dje pas gjashtë orësh debat, në Kuvend u votua ligji për pagat. Projektligji për pagat në sektorin publik u votua me 63 vota pro asnjë kundër dhe një abstenim./21Media

Back to top button