Haradinaj: Kosova ka marrë dy goditje të rënda me veprimet e fundit të qeverisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti se i ka dhënë dy goditje të rënda shtetësisë së Kosovës pas marrëveshjes për targat e automjeteve dhe refuzimin e projektit për kyçjen e Kosovës në gazsjellësin ekzistues në Maqedoninë e Veriut të përkrahur nga MCC-ja amerikane.
Haradinaj në një konferencë për media, tha se kryeministri Kurti i ka plotësuar të gjitha kushtet për të dhënë dorëheqje dhe se u dëshmua se është antiamerikan me refuzimin për gazësjellësin, derisa tha se marrëveshjen për targat, Kosova u kthye 10 vjet prapa.
“Dje shteti i Kosovës i ka marrë dy goditje të rënda që erdhën nga një Qeveri dhe kryeministër i papërgjegjshëm. Dje është nënshkruar një marrëveshje që e kthen Kosovën 10 vjet prapa, po ashtu edhe refuzimi i gazësjellësit amerikan. Kurti me dy veprimet e fundit e ka rrezikuar shtetin e Kosovës dhe partneritn me SHBA-të. Me anë të marrëveshjes për targat e automjeteve Kurti goditi sovranitetin e vendit. Ky njeri e ka bërë hisedar Serbinë dhe ka pranuar të negociojë punën e ndjeshme të brendshme. Ky njeri me vendimin për gazësjellësin ka marrë vendimin më antiamerikan. Ky njeri i ka plotësuar të gjitha kushtet të jap dorëheqje, mbetja e tij në këtë detyrë qoftë edhe për një ditë të vetme është e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën”, tha lideri i AAK-së./21Media

Back to top button