Haradinaj: Ku janë kufijtë moral të Kryeministrit dhe Presidentes?
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj lidhur me rastin e ambasadorit Martin Berishaj i cili raportohet se është përfshirë në një skandal financiar, i ka kërkuar Presidentes së vendit, Vjosa Osmanit të sqarojë se a i ka lënë kohë AKI-së të verifikojë aktivitetin e ambasadorit.
“1. Presidentja të sqarojë se me çfarë motivacioni i ka dhënë shtetësinë Ambasadorit Martin Berishaj, me procedura të përshpejtuara? A i ka lënë kohë të mjaftueshme AKI-së për të verifikuar aktivitetin e ambasadorit? “, u shpreh Haradinaj.
Tutje, Haradinaj ka kërkuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti cila është kundërvlera e blerjes së energjisë nga kompania GEN, pasi siç shkruan Haradinaj në Facebook, Kurti e ka cilësuar kompaninë si mafioze.
“2. Përderisa Kryeministri Kurti e kishte cilësuar kompaninë GEN si kompani mafioze të nivelit ballkanik, dhe duke pasur parasysh se pronari i saj, sipas tij, është nip i Jovica Stanishiqit, shefit famkeq të sigurimit serb, cila është kundërvlera e blerjes së energjisë pikërisht nga kjo kompani, sapo erdhi në pushtet?”, ka shkruar më tej kreu i AAK-së.
Haradinaj u shpreh se po pengohen organet e rendit dhe drejtësisë të veprojnë sipas ligjit, në atë siç e quan ai ‘skandal’.
“A janë në dijeni Presidentja dhe Kryeministri se Ambasadori i tyre, nuk e ka deklaruar në formularin e pasurisë kompaninë e tij në Mal të Zi, tanimë e famshme për transakcionin me kompaninë, sipas Kurtit të nipit të Stanishiqit? A është pikërisht frika se po zbulohet ky skandal, shkak se përse Vetëvendosje e ka bllokuar formimin e komisionit hetimor parlamentar për blerjen e energjisë? A po pengohen organet e rendit dhe drejtësisë të veprojnë sipas ligjit në këtë skandal? Ku janë kufijtë moral të Kryeministrit dhe Presidentes. Nëse jemi në pritje të një epilogu eventual të organeve të drejtësisë, pyetja ime është a kanë kufij moral këta?”, përfundoi Haradinaj./21Media
<code>