Haradinaj kujton demonstratën e 11 marsit: I dha drejtim kauzës për liri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar demonstratat e ’81-s në 42-vjetorin e tyre.
Haradinaj ka thënë se demonstrata e 11 marsit të vitit 1981, u pasua nga kryengritje gjithë popullore.
“42 vjet më parë, studentët e Universitetit të Prishtinës me guximin dhe vizionin e tyre mposhtën frikën dhe i dhanë drejtim kauzës sonë për liri. 11 marsi ishte demonstrata më e fuqishme, e cila do të pasonte në kryengritje gjithë popullore”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Haradinaj ka shtuar se prej asaj kohe e deri tek lufta e UÇK-së, asnjëherë nuk rreshti rezistenca për liri.
“Që nga ajo kohë e deri më 1999 nuk rreshti asnjëherë rezistenca për liri dhe pavarësi të Kosovës, prej asaj paqësore deri tek ajo e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirënjohës përjetë!”, ka shkruar Haradinaj.
Sot bëhen 42 vjet nga organizimi i demonstratës studentore, e cila është protesta e parë që u shtyp me dhunë nga policia dhe ushtria jugosllave. Me datën 4 mars të vitit 1981 studentët e Kosovës organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre dhe kjo protestë ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët më datën 11 mars 1981. Si pasojë e demonstratave të studentëve erdhën tubimet e njohura si “Demonstratat e punëtorëve”, në të cilat kërkohej lirimi i studentëve të burgosur./21Media

Back to top button