Haradinaj: Kurti ta fillojë orarin e punës çdo ditë në KEK
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti në aleancë me Listën Serbe e ka ndërruar rendin e ditës në seancën e sotme të Kuvendit ku po shqyrtohet projektbuxheti.
“Qeveria po nxitohet me aprovu buxhetin, e ndihmuar nga Lista Serbe”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka bërë të ditur se do të votojnë kundër buxhetit në fund të diskutimit. Sipas Haradinajt, Kurti po i ndihmon agjendës së Serbisë.
Po ashtu ai ka dhënë edhe dy këshilla për Kurtin për menaxhimin me krizën energjetike.
“Jemi në vazhdim të pandemisë dhe pasojave në ekonomi dhe një situatë e rëndë energjetike. I bëj apel Kurtit që të ndërmerr dy veprime menjëherë, një që ta fillojë orarin e punës në KEK, dhe e dyta, të paguajë koston e importit për këtë vit nga buxheti i këtij viti, mos ta bartë në buxhetin e vitit tjetër sepse krijon pengesa për buxhetim të projekteve të tjera”, ka thënë Haradinaj./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?