Haradinaj-Kurtit: Qytetarët po ikin, a nuk ishit qeveri e shpresës?

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar sërish kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“A ka kryeministri ndonjë koment? 56000 qytetarë të Kosovës për një muaj kanë aplikuar për viza pune për të dalë jashtë vendi, vetëm në njërën nga ambasadat. Qytetarët po ikin nga vendi sepse kjo qeveri e ky kryeministër po tentonjnë që Kosovën ta shndërrojnë në Venezuelë. Me politikat majtiste ekstreme, ngjalljen e sentimentit anti-amerikan, ata po shkojnë rrugës së Chavez-it. Qytetarët po ikin sepse po ndëshkohen me reduktime të energjisë e fatura të fryra për energjinë që qeveria e blenë po me paratë e tyre, përderisa qytetarëve në veri të vendit, iu paguan dhjetëra milionë për energji”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Gjithashtu, Haradinaj ka theksuar se fakti që mbi 50 mijë qytetarë po e lëshojnë vendin, është pikëllues.

“Në fakt, kjo qeveri po e lufton secilin që nuk mendon si kreu i saj, por kjo do t’i kthehet bumerang dhe nuk do të mund ta shpëtojnë militantët imagjinarë të internetit. Mbi 50 mijë qytetarë po tentojnë ta braktisin vendin. Ky është një fakt pikëllues, është një alarm për Kosovën. Është tregues se kjo qeveri, nuk ka as vizion, as dije e as veprime qeverisëse”, shton tutje Haradinaj./21Media
Back to top button