Haradinaj: Marrëveshja finale me njohjen reciproke Kosovës-Serbi është afër

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK),Ramush Haradinaj, tha që marrëveshja finale me njohjen reciproke Kosovë-Serbi është afër, derisa po bisedonte me qytetarët e Obiliqit për zhvillimet e fundit në vend.
Ndër të tjera Haradinaj tha se roli i Aleancës është që të ndihmojmë këtë proces ku kërkohet unitet politik.
“Qytetarëve në Obiliq iu shpreha bindjen time se marrëveshja finale me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është afër. Marrëveshja i hap Kosovës rrugën drejtë NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Qeveria duhet të ketë kujdes në këtë fazë në mbrojtjen e interesave nacionale të Kosovës. Roli im dhe i Aleancës është që të ndihmojmë këtë proces ku kërkohet unitet politik. Sa i përket gjendjes së brendshme, qeveria Kurti ka bërë gabime të njëpasnjëshme. Qasja e tij në qeverisje, sektor të sigurisë dhe energjisë, kanë shkaktuar rënie drastike në ekonomi dhe kanë dobësuar pozitën e Kosovës”, ka treguar Haradinaj.
Qeveria e Kosovës ka nisur diskutimet me përfaqësues të opozitës për elementet bazë të propozimeve ndërkombëtare për një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por ftesës së qeverisë për takim iu përgjigj vetëm kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj./21Media

Back to top button