Haradinaj: Nuk kemi ndryshuar qëndrim për Vjosa Osmanin

 
 
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, ata nuk do të përkrahin kandidaten Vjosa Osmani.
Kështu ka deklaruar kreu i këtij subjekti Ramush Haradinaj.
Ai ka ka thënë se nuk kanë marrë një marrëveshje politike për të votuar presidenten nga kryeministri Albin Kurti dhe Osmani.
“Ne kemi mirëpritur mundësinë me biseduar me fituesit e zgjedhjeve me zotëri Kurtin dhe zonjën Osmani, nuk kemi marrë prej tyre propozim, kërkesë, marrëveshje politike për të votuar presidenten ose qeverinë, nuk kanë kërkuar prej neve bashkëpunim, nuk jemi pjesë e një marrëveshje për votimin e kandidates për presidente. Kemi parë qëndrimi e LDK-së, është një marrëdhënie e re në mes të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por sa i përket Aleancës nuk ka ndryshuar asgjë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj në konferencë për media sot ka folur edhe për rritjen e çmimit të energjisë.
Me ç’rast ka thënë se duhet të rishikohet i gjithë procesi i liberalizimit të energjisë elektrike.
“Rritja e çmimit të energjisë i godet konsumatorët industrialë veçanërisht ato prodhuese dhe përpunuese, por në një të ardhme të afërt dhe të gjitha familjet tona. Duhet të rishikohet i gjithë procesin liberalizimit të energjisë elektrike. Është një lloj monopoli në emër te liberalizimit të tregut liberalizimi është i rrejshëm”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndërmarrë veprime të menjëhershme që mos të lejojë të ndodh rritja e çmimit të energjisë./21Media

Back to top button