Haradinaj: Pas 11 Qershorit punët do t’i kryejmë bashkërisht

Kandidati për kryeministër i nominuar nga PDK-AAK dhe Nisma, Ramush Haradinaj mbajti tubim zgjedhor në Vushtrri

Me këta rast, Haradinaj ka kërkuar votën e vushtrriasve, duke thënë se bashkërisht mund të bëhen punë të mëdha për vendin.

Ai tha se pas 11 Qershorit, në Kosovë duhet të punohet në të gjitha drejtimet, duke u zotuar se në rast që i jepet besimi i qytetarëve, jeta e tyre do të marrë një kahje më pozitive.

“Përpjekja për me bë Kosovën shtet ka shumë punë por dikush duhet të merr përgjegjësi, të bëjmë vende të punës. Qeveria e Kosovës të afrohet më afër atyre që janë duke punuar që të krijojmë një ekonomi sa më të mirë, më është dhënë besimi me udhëheq mirëpo ky vend ka shumë punë në të gjitha drejtimet. Kosova ka njerëz, ka resurse por kërkohet një vullnet i të gjithëve. Nëse ne sigurojmë diçka më të mirë menjëherë edhe ata që janë në diasporë ishin kthyer në Kosovë . Me 11 qershor, kur të votoni, aty do të jemi bashkë që t’i kryejmë punët e Kosovës”, tha Haradinaj.

Lutfi Bilalli, kandidat për deputet, tha se në këto zgjedhje Vushtrria i ka dy mundësi që sipas tij janë kualiteti dhe kuantiteti.

“Kuantiteti që do të thotë mu përfaqësu me sa më shumë deputetë, kualiteti nënkupton që e kemi mundësinë të kemi njerëz që nuk heshtin din çka thonë dhe çka kërkojnë, Kosova dhe qyteti ynë ka nevojë të ketë një jetë të dinjitetshme”, tha ai.

Sipas tij, Kosova vuan nga mungesa e sistemit të mirëfilltë të drejtësisë, duke u bërë thirrje qytetarëve që më 11 Qershor të bëjnë zgjedhjen e duhur në të mirë të vendit dhe të ardhmes së tyre.

Back to top button