Haradinaj për raportin e DASH-it: Qeveria duhet të dorëhiqet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka deklaruar se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) për Kosovën është goditja më e fuqishme “që demistifikon kursin e mashtrimit”, duke shtuar se ky raport s’i ka evidentuar edhe shumë dështime të Qeverisë.

“Përmes një postimi Haradinaj ka thënë se ky raport duhet t’i shërbejë Qeverisë Kurti për vetëreflektim, që siç ka thënë ai, “dorëheqjen e saj”.

“Vetëmashtrimi i Qeverisë duke krijuar tituj bombastik për fitoret e paqena kundër Serbisë e në raste të caktuara edhe kundër komunitetit ndërkombëtar, janë gënjeshtrat të cilave Qeveria ka filluar t’ju besojë edhe vetë. Raporti i Departmentit Amerikan të Shtetit për Kosovën është goditja më e fuqishme që demistifikon këtë kurs të mashtrimit. Nuk besoj që ka qytetar të këtij vendi që sot nuk është i shqetësuar me gjetjet e këtij raporti në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e shprehjes, lirisë së mediave si dhe të drejtave të njeriut e plot fusha të tjera”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Tutje, ai është shprehur se raporti i vitit 2023 nuk ka arritur të evidentojë edhe shumë dështime tjera.

“Raporti i DASH-it është për vitin 2023 dhe nuk ka arritur të evidentojë edhe plot dështime të tjera, përfshirë këtu edhe qindra kontrata njëburimore në vlerë prej qindra milionë eurosh. Në një situatë normale ky raport i DASH-it do të duhej t’i shërbente Qeverisë për vetëreflektim, që nënkupton dorëheqjen e saj”, përfundon Haradinaj./21Media

Back to top button