Haradinaj prezantoi dy aderimet e reja në AAK

 

Në listën e kandidatëve për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për zgjedhjet e 14 shkurtit, janë edhe dy politikanë të rinj nga Suhareka.

Kryetari i AAK-së, njëherësh kandidati për president, Ramush Haradinaj të dielën ka bërë të ditur se juristja Albana Bytyqi dhe Mensur Selimaj janë aderimet më të reja në partinë që ai drejton.

“Albana Bytyqi është asambliste e Aleancës në Kuvendin Komunal të Suharekës. Si një prej femrave më të votuara asambliste në nivel vendi, ajo me guxim kandidon tani për nivelin më të lartë legjislativ në Kosovë. Përpos aktivitetit politik, ku shquhet për punë të palodhur ajo është edhe menaxhere e shkëlqyer në një kompani transporti. I ofrova mbështetjen time të plotë për kandidaturën dhe mendoj se Kuvendi i Kosovës do të jetë me fat të ketë një kuadër si Albana”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërsa, Mensur Selimaj nga Greikoci i Suharekës është një prej të rinjve që u rrit në Aleancë.

“Aktivist i devotshëm ndër vite, ai u propozua për kandidim nga organizata rinore e partisë, propozim që unë e pranova me kënaqësi. Mensuri është ekonomist dhe sipërmarrës i ri. Besoj në suksesin e tij në këtë garë, ku ai sfidohet për herë të parë”, ka shtuar Haradinaj.

Back to top button